Tryezë shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare dhe marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizuan tryezë shkencore me temë “Përdorimi i shqipes në domenin publik”, transmeton Portalb.mk.
Nga faqja zyrtare e Instituti Albanologjik në Prishtinë bënë të ditur se këshilli organizativ i kësaj tryeze përbëhej nga Abdurrahim Maxhuni, Mustafa Ibrahimi dhe Sejdi Gashi. Në hapje të saj, me nga një fjalë rasti u paraqiten Abdurrahim Maxhuni, shef i Degës së Gjuhësisë-IAP, Naim Berisha, drejtorit të Institutit Albanologjik, Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Ismet Osmani, shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Në këtë tryezë të veçantë me kumtimet e tyre morën pjesë këta studiues: Asllan Hamiti, Mustafa Ibrahimi, Abdurrahim Maxhuni, Ismet Osmani, Bahtijar Kryeziu, Begzad Baliu, Naim Berisha, Ajtene Hajdari Qamili, Sejdi Gashi, Izer Maksuti dhe Manjola Zaçellari.
Poashtu, pas kumtimeve dhe diskutimeve, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit institucional në mes të Institutit Albanologjik-Prishtinë, i përfaqësuar nga Naim Berisha, drejtorit, dhe Universitetit “Nënë Tereza”, i përfaqësuar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Mustafa Ibrahimi.
Kjo marrëveshje përfshinë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve tona shkencore dhe akademike në organizimet dhe aktivitetet e përbashkëta shkencore, shkëmbimin e përvojave shkencore dhe literaturës, mundësinë që studiuesit e Institutit Albanologjik të ftohen si profesorë mysafirë nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe pjesëmarrjen e studiuesve dhe profesorëve të dy institucioneve tona në konferencat dhe tryezat shkencore.