Trump në Davos: Kërkoj negociata të menjëhershme për ta blerë Grenlandën
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po kërkon bisedime të menjëhershme për ta blerë Grenlandën, raporton Radio Evropa e Lirë. Duke folur para udhëheqësve botërorë në Davos, Trump theksoi: “Ndoshta s’do të marrim asgjë, përveç nëse vendos të përdor forcë dhe fuqi të tepruar, por nuk do ta bëj këtë”.
SHBA-ja thotë se dëshiron ta ketë kontrollin mbi territorin autonom të Danimarkës, për arsye të sigurisë kombëtare.
Ministri danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë “pozitive” që Trump e përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për Grenlandën.
Ministri i jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se është shenjë “pozitive” që Donald Trump dëshiron ta shmangte përdorimin e forcës ushtarake në Grenlandë.
Por, ai theksoi se presidenti amerikan nuk ka hequr dorë nga kërcënimi për të marrë këtë ishull në Arktik.
“Çfarë është mjaft e qartë pas këtij fjalimi është se synimi i presidentit mbetet i pandryshuar”, tha Rasmussen për gazetarët në Kopenhagë, duke iu referuar fjalimit të Trumpit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
“Natyrisht, është pozitive në mënyrë të veçantë që presidenti tha këtë për ushtrinë, por kjo nuk e zgjidh problemin”, shtoi ai.
Rasmussen e përsëriti se Grenlanda nuk është në shitje.
“Nuk do të negociojmë kurrë duke hequr dorë nga parimet themelore. Ne po jetojmë në vitin 2026, në një rend ndërkombëtar të bazuar në ligj, sovranitet shtetëror dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Një rend që vetë Shtetet e Bashkuara ndihmuan të ndërtohej pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ministri.
Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e mbajti një fjalim të gjatë para udhëheqësve botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Trump iu tha atyre se nuk e ka ndër mend ta përdorë forcën për Grenlandën, por gjithashtu dha një sërë arsyesh se pse Shtetet e Bashkuara duhet ta zotërojnë këtë ishullin gjysmautonom të Danimarkës.
Ai tha se po kërkon “bisedime të menjëhershme” për ta blerë Grenlandën nga Danimarka.
“Janë vetëm Shtetet e Bashkuara ato që mund ta mbrojnë këtë copë gjigante akulli”.
Por, duke e quajtur këtë si deklaratën e tij më të madhe, Trump tha se nuk do ta përdorte forcën.
“Nuk kam nevojë të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”.