Trump kërkoi largimin e menjëhershëm të të gjithëve nga Teherani, Irani dhe Izraeli vazhduan sulmet
Izraeli dhe Irani kanë sulmuar njëri-tjetrin për të pestën ditë radhazi, me Donald Trump që u ka thënë të gjithë banorëve të Teheranit të evakuohen. Ushtria izraelite tha se Irani kishte lëshuar raketa në Izrael këtë mëngjes, me shpërthime të raportuara gjithashtu në Tel Aviv dhe Jerusalem, transmeton Reuters.
Trump u largua nga samiti i G7 në Kanada një ditë më parë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, dhe paraprakisht i kishte bërë thirrje Iranit dhe Izraelit të fusnin armëpushim.
“Ka pasur një ofertë, veçanërisht për armëpushim dhe për të filluar bisedime më të gjera. Mendoj se ky është një propozim shumë i mirë, kështu që tani duhet të shohim se çfarë bëjnë palët e përfshira”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Dy burime iraniane i thanë Reuters se Irani i kishte kërkuar Katarit, Omanit dhe Arabisë Saudite të bënin presion mbi Benjamin Netanyahun që të pranonte një armëpushim të menjëhershëm. Irani do të tregonte fleksibilitet në bisedimet bërthamore në këmbim.
Trumpi, i cili ka thënë vazhdimisht se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, i ka bërë thirrje Teheranit të arrijë marrëveshje.
“U thashë atyre të nënshkruajnë. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. E them gjatë gjithë kohës. Të gjithë duhet të largohen nga Teherani tani”, shkroi Trump në rrjetin e tij social.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se Trump ende shpreson për një marrëveshje bërthamore me Iranin, me mundësinë e një takimi tjetër SHBA-Iran këtë javë.
Media iraniane raportoi shpërthime të forta në Teheran këtë mëngjes, dhe mbrojtja ajrore ishte gjithashtu aktive në Natanz, ku ndodhet një nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Iranit. Izraeli bombardoi ndërtesën e televizionit shtetëror iranian dje, duke vrarë dy persona. Stacioni televiziv vazhdoi transmetimin për disa orë pas sulmit.