Trump i tha Putinit t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe shqyrton lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse
Donald Trump dhe Vladimir Putin diskutuan luftërat në Iran dhe Ukrainë në telefonatën e tyre të parë këtë vit, pasi udhëheqësi rus paralajmëroi se një krizë globale e energjisë do të kërcënonte ekonominë botërore. Sulmi SHBA-Izrael ndaj Iranit ka çuar në rritjen më të madhe të çmimeve të naftës që nga viti 2022, transmeton Portalb.mk.
Kremlini tha se Trump e kishte telefonuar Putinin.
“Pata një bisedë shumë të mirë me Putinin. Ai donte të ndihmonte me Iranin, por i thashë se do të ishte shumë më e dobishme nëse do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo do të ndihmonte shumë më tepër”, tha Trump.
Mes trazirave në tregjet globale të energjisë, administrata Trump po shqyrton lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse. Ky veprim do të synonte të rriste furnizimet globale me naftë pas një ndërprerjeje masive të furnizimeve nga Lindja e Mesme, por mund të ndërlikonte përpjekjet e SHBA-së për ta privuar Rusinë nga të ardhurat për luftën e saj në Ukrainë.
“Po heqim dorë nga disa sanksione që lidhen me naftën për të ulur çmimet. Kemi sanksione ndaj disa vendeve. Do t’i heqim këto sanksione derisa kjo të zgjidhet”, tha Trump, pa i përmendur vendet, duke shtuar:
“Pastaj, kush e di, mund të mos na duhet t’i rivendosim, do të ketë paqe. Kur të vijë koha, Marina Amerikane dhe partnerët e saj do të shoqërojnë tankerat përmes Ngushticës së Hormuzit nëse është e nevojshme.”