Trump do të vendosë tarifa për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së për të “shpëtuar industrinë e Hollivudit”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të dielën tarifë prej 100% për filmat e prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara, duke thënë se industria amerikane e filmit po vdes “shumë shpejt” për shkak të stimujve që ofrojnë vendet e tjera për të tërhequr prodhime filmike, raporton Reuters.

“Kjo është një përpjekje e koordinuar nga kombe të tjera, prandaj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Është, ndër të tjera, çështje mesazhesh dhe propagande”, shkroi Trump në Truth.

Trump tha se po autorizonte agjencitë përkatëse qeveritare, siç është Departamenti i Tregtisë, që të fillonin menjëherë procesin e vendosjes së një tarife prej 100% për të gjithë filmat e prodhuar nga jashtë që më pas importohen në Shtetet e Bashkuara.

Ai shtoi: “NE DUAM QË FILMAT TË BËHEN PËRSËRI NË AMERIKË!”

Sekretari i Tregtisë Howard Lutnik shkroi në mediat sociale: “Po punojmë për këtë.”

As Lutnik dhe as Trump nuk dhanë detaje se si do të zbatoheshin këto tarifa. Nuk është ende e qartë nëse tarifat do të zbatohen për filmat në platformat e transmetimit, si dhe për ato që shfaqen në kinema, as nëse ato do të llogariten në bazë të kostove të prodhimit apo të ardhurave nga biletaritë. Shoqata e Industrisë së Filmit, e cila përfaqëson studiot kryesore, nuk bëri asnjë koment.

Në janar, Trump emëroi veteranët e Hollivudit Jon Voight, Sylvester Stallone dhe Mel Gibson me detyrën për ta rikthyer industrinë e Hollivudit “më të madhe, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë”.

Prodhimi i filmave dhe serialeve ka ndodhur jashtë Hollywood-it për vite me radhë, në vende me lehtësime tatimore që e bëjnë xhirimet më të lira.
Qeveritë në të gjithë botën kanë rritur zbritjet tatimore dhe përfitimet në para për të tërhequr prodhime dhe për të kapur një pjesë më të madhe të 248 miliardë dollarëve që, sipas Ampere Analysis, do të shpenzohen globalisht për prodhimin e përmbajtjes në vitin 2025.

Të gjitha kompanitë kryesore mediatike, përfshirë Walt Disney, Netflix dhe Universal Pictures, xhirojnë jashtë vendit, më shpesh në Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Udhëheqësit e Australisë dhe Zelandës së Re iu përgjigjën njoftimit të tarifave të Trump duke njoftuar se do të mbronin industritë e tyre lokale. Disa nga filmat superheroj të Marvel janë xhiruar në Australi, ndërsa Zelanda e Re ishte një vend xhirimi për “Mbreti i Unazave”.