Treva e Tearcës, zonë nazeli e Sharrit dhe Pollogut
Shkruan Syrja Etemi
Sa për të thyer heshtjen

Ja kjo është kjo një zonë nazelie e ulur këmbëkryq në rrëzën e Sharrit që shuan etjen me gurrat e pashtershme që dalin nga burimet gurgulluese të bjeshkëve të gjëra e të larta që prekin edhe horizontet e kaltra të qiellit. Është ky vendbanim sa i lashtë, aq edhe epik – me banorët e ngulitur dhe të mbirë në këto troje përpara qindra e qindra shekujsh, kur Pollogu e Sharri banoheshin vetëm prej egërsirash, ku, stërgjyshërit dhe katragjyshërit den baba den, i zbutën ato – për të punuar tokën jetëdhënëse të Pollogut. Se, a kanë qenë ata bijtë e fisit Agrianë, Pajonë, Penestë a Dardanë, kjo nuk çon shumë peshë. Por, peshë çon fakti se ata janë këtu ku kanë qenë gjithnjë, për të kthyer këtë copë toke në shtëpi për të jetuar. E, pikërisht këtu, ata, pasi zbutën kafshët e malit dhe fushës, ruajtën bagëti e tubuan vathë; krijuan jetë të hijshme e mbushullime që lulëzonin; ndërtuan vendbanimet që, ndër rrathë kohe, krijoi nam e begati. Prandaj, kjo tokë do të lakmohet dhe atakohet nga pushtues të huaj, për ta vjedhur këtë thesar dhe begati; t’ua prishin jetën e hijshme banorëve të vyeshëm të saj… E, makutër e llaskuçë të tillë, nuk ishin të pakët. Ndaj, detyrë e brezave është të ruajnë këtë thesar të paçmuar të gjyshërve, stërgjyshërve të tyre si jetën e tyre…
Të bëjmë një skrining të zonës

Treva e Tearcës gjendet në anën veri – perëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, rrëzë Sharrit, duke përfshirë një pjesë të konsiderueshme të Rrafshit të Pollogut. Në perëndim kufizohet me Republikën e Kosovës, në jug me komunën e Tetovës, kurse në verilindje me komunën e Jegunovcit.
Paraqitja e disa të dhënave indikative të vendbanimeve të Trevës së Tearcës
Vendbanimi | Distanca nga Tetova | Lartësia mbidetare | N u m r i i b a n o r ë v e | Emërtimeve në dok.
Turke (1468) |
Nr. i familjeve në DT
1468 |
Nr.i familjeve në
DT 1568 |
Nr.i shtëpive në
v.1900 |
Nr.i shtëpive
(2002) |
|||
2002 | 2021 | ||||||||||
Gjithsej | Maqedonasë + të tjerë | Numri i shqiptarëve | Numri i përgjithshëm
i banorëve |
||||||||
1.Neproshten | 7 km. | 500 m. | 1309 | 405 | 904 | 1178 | Kërpenë
Andreovë |
27 f. | 29 f. | – | 425 |
2.Varvara | 12 km. | 800 m. | – | – | – | 4 | Varvari | 12 f. | – | – | 66 |
3.Leshka | 8 km. | 600 m. | 440 | 440 | – | 696 | Leaskum | 233 f. | – | 80 sht. | 241 |
4.Sllatina | 9 km. | 550 m | 4112 | 11 | 4101 | 3198 | Islatina | 72 f. | – | 60 sht. | 947 |
5.Brezna | 14 km. | 1000 m. | 8 | 8 | – | – | Brezni | 10 f. | – | 70 sht. | 117 |
6.Tearca | 10 km. | 540 m. | 3974
me Ot. |
1081
521 |
2372 | 3038 | Tearsi
Pejçinovë |
– | 13 f. | 160 sht. | 949 |
6.Otushishta, me numrin e banorëve llogaritet bashkë me Tearcën | 11 km. | 540 m. | – | – | – | Otushishta | 42 f
57 f |
– | 30 sht. | – | |
7.Përshevca | 12 km. | 560 m. | 2516 | – | 2516 | 1923 | Pershovci | 20 f
47 f |
– | 30 sht. | 496 |
8.Gllogja | 14 km. | 550 m | 1295 | 310 | 985 | 1106 | – | – | – | – | 305 |
9.Jelloshniku | 15 km. | 1000 m. | – | – | – | – | Jellashnik | 32 f. | – | 50 sht. | 34 |
10.Dobroshti | 15 km. | 550 m. | 3549 | 345 | 3204 | 2649 | Debrishte | 191 f. | – | 45 sht. | 757 |
11.Parca | 20 km. | 1050 m. | 27 | – | 27 | – | – | – | – | 14 sht. | 13 |
12.Odri | 17 km. | 650 m. | 1739 | 139 | 1600 | 1175 | Odri | 84 f. | – | 30 sht. | 357 |
13.Nerashti | 16 km. | 520 m. | 3485 | – | 3485 | 2724 | Narest | 32 f. | – | 85 sht. | 773 |
Gjithsejt: | 22454 | 2739
765 |
19194
244 |
17 694 | – | – | – | – | 5480 | ||
22454 | 3504 | 18 950 |
Kur flasim për Trevën e Tearcës,s’ do mend që i referohemi territorit apo atarit me vendbanimet që i përkasin Komunës homonime. Selia e komunës gjendet në Tearcë, e cila është edhe qendër administrative, kulturore dhe ekonomike e kësaj pjese të Pollogut të Poshtëm. Sipas ndarjes territoriale të vitit 2004, ajo përfshin gjithsej 136,54 km2., kurse sipas Entit Statistikor Republikan (Regjistrimi i vitit 2002) ka 22. 454 banorë, me përbërje etnike të përzier, edhe atë: shqiptarë: 18 950 ose 84.40 %, maqedonasë: 2739 banorë ose 12.20%, turq 515 ose 2.30 %, romë 0.30% dhe të tjerë 0.70 %. Ndërsa, sipas regjistrimit të vitit 2021, ka këtë strukturë popullative: 17 694 banorë gjithsejt, 14704 shqiptarë (83 %), 2114 maqedonë (11.94%), 382 turq (2.15%), romë 50 banorë (0.3%)dhe të tjerë, 444 (2.5 %). Kështu, duke patur parasysh këtë strukturë demografike, edhe ky material që është i qëmtuar dhe i arkëtuar me këtë thesar të pasur folklorik të kësaj zone, kryesisht përmban timbrin e po kësaj larushie kompakte dhe koherente, si nga pikëpamja gjeografike – demografike,po ashtu edhe në atë religjioze, linguistike e kulturore.
Vendbanimet që e përbëjnë trevën e Komunës së Tearcës janë: Neproshteni,Varvara, Leshka, Sllatina, Brezna, Tearca (këtu, Tearcën e llogarisim bashkë me Otushishtën), Përshevca, Jelloshniku, Gllogja, Dobroshti, Odri, Parca dhe Nerashti.Vendbanimet:Varvara, Brezna, Jelloshniku dhe Parca, janë malore, ndërsa vendbanimet tjera i takojnë pjesës rrafshinore të Pollogut.
Disa të dhëna nga autorë të huaj për vendbanimet e trevës së Tearcës
Për Trevën në fjalë, përveç të dhënave gojore të trashëgimisë popullore, ekzistojnë edhe shënime nga udhëpërshkrues të ndryshëm që kanë vizituar këto zona, si: udhëpërshkruesi, Idriz, botanisti gjerman Grizebah, A.M.Selishçevi, Andrej Stojanovi, etj. Me këtë rast do t’i referohemi këtij të fundit.
-Udhëpërshkrimi i Andrej Stojanovit: “Shënime nga udhëtimi im në Tetovë e rrethinë” (“Белешки за моето патување во Тетовско”, Viti 1891/92).
Andrej Stojanov është autor i veprës në fjalë, i publikuar në disa vazhdime në revistën: “Novini”. Ky udhëpërshkrim është një shënim shumë interesant për këtë trevë (të sh. XIX), edhe pse nuk është më i rëndësishmi, duke marrë parasysh madhësinë dhe kohëzgjatjen e botimit, si dhe burimet dhe sasinë e informacioneve për gjeografinë, toponiminë, traditën popullore, etnografinë etj. Në këtë rast po paraqesim shkrimet dhe evidentimet e këtij autori, sidomos ato që kanë të bëjnë me pjesën e vendbanimeve të Tetovës, përkatësisht – të anës verilindore të saj, me vendbanimet e zonës së Tearcës, e duke filluar nga fshati i fundit të reportazhit të paraqitur në numrin 41, që është Neproshteni, “i cili ndodhet në largësi prej një ore nga Otunja”.
“Neproshteni është i shtrirë në rrëzën e Sharrit dhe ka dy kisha: “Shën Arangjell” dhe “Shën Ilia”; në atarin e vet ka shumë zabele me drunj gështenje. Veprimtaria arsimore këtu nuk zhvillohet pasi ka vetëm 5-6 fëmijë, të cilët ndjekin shkollën në Leshkë.”
Përshkrimi për Neproshtenin mbaron në numrin 42 të revistës “Novini” (Стояанов, 1891 ј). “Neproshtenasit shquhen si kurbetqarë që punojnë zakonisht si bukëpjekës dhe bozaxhinj”.
Në numrin 42 është dhënë përshkrimi për fshatin Varvarë, që është një orë larg nga Neproshteni. Ka 25 shtëpi. Pamja e këtij vendbanimi është shumë e bukur, por është i shpërndarë me shtëpi jo shumë të rregulluara dhe për këtë të duket se është “në shpërputhje me bukuritë natyrore që ka ky fshat”. Shtëpitë janë të vogla, të ulta të mbuluara me kashtë dhe nuk kanë oxhaqe për daljen e tymit.
Përshkrimi për Varvarën është më i gjatë nga fshatrat tjerë paraprakë, njësoj si edhe Leshka, që ka 80 shtëpi, ndërsa ky vendbanim është tepër i rëndësishëm për shkak të manastirit, i cili është i veçantë në rrethin e Tetovës. Ka një shkollë që numëron te 60 nxënës, me 4 klasë. Këtu mbahen edhe provimet për banorët, ku vijnë edhe nga fshatrat përreth. Meqë këto provime mbahen në vend të hapur, nxënësit vijnë mirë të veshur, të larë dhe të përgatitur. Në rrethin e Leshkës ka gërmadha nga më shumë kisha, ku priten kurbanë.
Si u përmend edhe më herët, praktika e botimit në revistë të një vendbanimi në dy numra, edhe ky shkrim ka vazhduar në dy numra. Kështu, Leshkën e gjejmë të evidentuar në dy numra të revistës, me numër 43 (Стояанов, 1891 ј). Aty janë të dhëna edhe festat dhe zakonet e leshkasve, veshja, disa këngë, etj.
Në numrat e ardhshëm, autori i mësipërm do të fokusohet në përshkrimet për fshatin Breznë, ku, përveç tjerash potencon se, “ …Është i shtrirë në një vend të lartë, në afërsi të të cilit ka një liqen të vogël, i cili mund të qarkohet për 10 minuta. Ky mban emrin e fshatit dhe formohet nga ujërat që rrjedhin nga lartësitë e shpatijeve të Sharrit”; Sllatina me 50 shtëpi arnautë e 10 të krishtera dhe një xhami; Tearca, me 120 shtëpi turke dhe një xhami, dhe 80 shtëpi të krishtera, një kishë dhe një shkollë në të cilën mësojnë 20-30 fëmijë; Otushishta, me rreth 60 shtëpi arnautësh dhe të krishterësh; Përshevca, me 30 shtëpi arnautësh dhe një xhami. Fshati Eloshnik ka 50 shtëpi, një kishë dhe një shkollë. Është i njohur me drunj të shumtë të arrave. Mbi fshat gjendet manastiri, ku gjejmë të shkruar edhe këngën që ka kënduar kleriku gjatë kohës së shërbesës që mbahej për çdo vjet më 25 mars… Pason fshati Gllogjë, mandej Dobroshti, Odri, Parca, e k.m.r. (Стояанов, 1891 лј).
Karakteristikat natyrore gjeografike
Zona e distriktit kadastral të kësaj treve është e larmishme, si në aparencë, po ashtu edhe në esencë – për nga përbërja gjeologjike. Kështu, zona ku shtrihen vendbanimet e trevës së Tearcës, është konfiguracion rrafshinor – kodrinor me variabile apo ndryshueshmëri të lartësisë mbidetare, gjegjësisht nga 500 deri 1050 m. lartësi mbidetare. Menjëherë mbi fshatrat ngrihen kodrinat e Sharrit me pamje të buta, me dallgëzime të lehta dhe maja të rrumbullakësuara e të veshura me pyje të dendura: shkurrishte, akacie, gështenja, dushkaja, lajthishte, ahishte etj.
Mali që i takon atarit të kësaj zone, në aspektin gjeomorfologjik karakterizohet, përveç tjerash, edhe me një larushi të madhe shpatijesh e luginash, grykash e pllajash subtile, pjesë të mprehta shkëmbore, brigje e pjerrësira të ulta e të larta, duke filluar që nga “këmbët” e Sharrit e deri në bjeshkët e hapura hijerënda. Luginat pitoreske të shumta stolisin bjeshkët, malet, madje tërë fshatrat dhe fushën e Pollogut. Nëpër këto lugina rrjedhin lumenjtë e vendbanimeve të komunës së Tearcës, edhe atë, Lumi i Neproshtenit, Lumi i Leshkës dhe Sllatinës, Lumbardhi i Tearcës, Lumi i Dobroshtit dhe Lumi i Odrit (Odrana). Të gjithë këto lumenj, përfshijnë pjesën qendrore të pjerrësirave dhe teposhtëzave, që zënë fill, siç thamë – nga bjeshkët e Sharrit, gjegjësisht mbi 1800 m.l.m.d.
Shumëllojshmëria e përbërjes gjeologjike shihet dhe pikaset edhe për nga vegjetacioni i theksuar dhe i dendur, që është si rrjedhojë e sasisë së masës gjeologjike të këtyre zonave të pasura me ujërat e shumtë.

Ndërtimi gjeologjik i fushës
Fusha e vendbanimeve të trevës së Tearcës dhe fqinjëve përreth, kryesisht është tonatinë tektonike e cila në oligomiocen është lëshuar përgjatë rrafshit rrëzë Malit Sharr – kundruall Zhedenit e Malit të Thatë. Diku-diku kjo tokë ka edhe paraqitje të burimeve minerale, sidomos në Leshkë e Sllatinë.
Paraqitjet e argjilës së irrnosur liqenore dhe mbeturinat e tarracave liqenore, flasin qartë për fazën liqenore nëpër të cilën ka kaluar ultësira e Pollogut në përgjithësi. Mjaft markante janë mbetjet nga tarracat liqenore që fillojnë nga Ball Tepeja e Tetovës deri në fshatrat e Trevës së Tearcës – në Leshkë e Sllatinë e tutje, të cilat, në pjesën gjithnjë më juglindore arrin lartësinë nga 500 – 670 m.
Pas rrjedhës së liqenit të Pollogut fillon faza fluviale, në të cilën Vardari dhe lumenjtë e Sharrit: Lumi i Sllatinës, Lumbardhi, Ponika dhe Odrana, kanë thelluar shtratin e tyre, dhe kanë grumbulluar shtresa të mëdha të tokës së gëryer, të lymit dhe mbeturinave të shumta lumore. Prandaj, kualiteti i tokës së fushës së fshatrave për të cilin flasim, është rezultat i këtyre proceseve të krijuara natyrore.
Sharri magjepsës që të mrekullon
Sharri… Eh, Sharri… Sharri…! Sharri që të magjeps e të mrekullon. Sharri që të shashtisë në të katër stinët e vitit. Ky masiv i madh malor, për banorët rezidentë të kësaj ane, nuk paraqet dhe nuk duhet të paraqesë vetëm një reliev heteromorf : me male e bjeshkë, kodra e shpatije, lugje e shullane, lumenj e xhole, por, të “imponohet” edhe me një laryshi të jashtëzakonshme të specjeve të shumta të kafshëve, shpezëve, drunjve, pemëve e bimësive, me të cilat, banorët vendasë kanë krijuar, bile edhe po krijojnë, përveç tjerash, edhe “idare” mbushulluese për ekzistencë. Këtu, kah të kthesh kokën, gjen fruta plot shije të merme, që mbulojnë pjesë apo sipërfaqe të mëdha të kodrinave, maleve e pyjeve hijerënda e bjeshkëve nazemadhe. Diçka e ngjajshme është gjendja edhe me bimët medicinale apo shëruese ose“ilaçlie”, siç i konsiderohen me gjuhën e popullit.

Përveç brezave pyjorë me luginat lumore, livadhet dhe pllajat malore, lendinat e gjëra e të gjata, siç theksuam edhe më lartë, këtu lëshojnë shtat edhe një bollëk bimësh e barishtesh; lulet e tyre parajsore, sidomos në stinën e pranverës dhe të verës, madje edhe të vjeshtës, me koloritin dhe tonet e larmishme, të cilat mbushin botën e mahnitshme të këtyre hapësirave, në të cilën pulson gëzimi dhe bukuria e jetës.
Fauna e Sharrit të stërmoçëm, nuk ngec për nga pasuria natyrore, në krahasim me masivet tjera simotra. Këto bjeshkë e male të paana janë një mbretëri e vërtetë edhe për botën shtazore. Ujërat e cemtë të këtyre zonave, sikur janë të destinuar kastile për llojin e veçantë të peshkut, siç është “Trofta” e Sharrit; gjeografia e këtyre hapësirave – për llojin special të qenit, siç është rasti me Qenin e Sharrit apo Deltari ilir, madje edhe të drurit nazeqar e të veçantë – Vojzës shtathedhur që kap retë. Ajo që është më karakteristike për florën dhe faunën e këtushme, është “ekskluziviteti”, që të duket sikur çdo gjëje i lejohet të zhvillohet ashtu si kërkojnë ligjet e natyrës, luftës për ekzistencë dhe seleksionimit e përzgjedhjes së saj.

Kushtet tekanjoze klimatike të Sharrit janë mjaftë specifike. Edhe pse ky masiv paraqet një hapësirë të konsiderueshme gjeografike, këtu ndërveprojnë edhe disa dukuri të veçanta mikroklimatike. Nga vendpozita dhe nga karakteristikat relievore të tij, mund të krijohet klimë me karakteristika mediterane dhe kontinentale lindore. Për këtë, është evidente edhe klima lokale e lartësive. Vetëm në saje të këtyre ndryshueshmërive klimatike, determinohen edhe temperaturat e ajrit, variacioni i ndriçueshmërisë së diellit, shpejtësia e erërave, intensiteti dhe sasia e të rreshurave në stinë të caktuara dhe ndryshimet tjera klimatike. Kështu, kur në qershorin e hazdisur apo korrikun e harbuar, ndodh që temperaturat në Pollog të jenë skajshmërisht të larta, në majat dhe luginat e Sharrit, vende-vende ende mund të zbardhëllojnë shtresat e dëborës. Për këtë arsye, këto terrene paraqesin një atraksion impresiv për turizëm veror apo pushime verore. Gjatë periudhës së dimrit, madje, kur në vendbanimet e Rrafshit të Pollogut temperaturat janë shumë të ulta, dhe, kur mbi kokat e tyre rëndojnë mjegullat e bezdisshme, në majat e larta të Sharrit, shpesh mund të zotërojë verë e “hazdisur”, dhe kështu, përveç skijimit, edhe rrezitja dimërore mund të paraqitet si një atraksion i vërtetë për shumë dashamirë të natyrës. Për këtë arsye, Sharri është tërheqës dhe me interes për pushim dhe rekreacion në të gjitha stinët e vitit. Kohët e fundit, në këtë anë është i zhvilluar edhe sporti i paraglidingut (Lëshimit me paraglajder “tek” ose në “çift” nga majat e larta të Sharrit – në Rrafsh).
Krejt këto mbushullime dhe thesare natyrore me spektaklet shpërthyese me bukuritë mahnitëse të Sharrit, indicojnë kushte reale edhe për zhvillim të turizmit, si veprimtari koxha fitimprurëse ekonomike. Këto perla të natyrës, ka mundësi që të valorizohen edhe materialisht.
Kohëve të fundit, të gëlon përshtypja se, më në fund, edhe banorët rezidentë të Trevës së Tearcës sikur janë zgjuar nga kllapia e injorancës, neglixhencës dhe arrogancës shekullore, dhe, gjithnjë e më shumë po pretendojnë të shfrytëzojnë këto mundësira, përkatësisht mundësitë e shfrytëzimit të resurseve natyrore që i ofron Sharri. Përveç objekteve të shumta (veçmë të njohura turistike) me hotele e pushimore të ndryshme për të gjitha moshat dhe kategoritë, ku duhet dalluar Qendra turistike: Kodra e Diellit mbi Tetovë, në Trevën e Tearcës duhet përmendur: Treujnat, Vërtishta, Mellova, Parca, ku kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe mëtej ndërtime të objekteve të reja e luksoze sipas shijes, stileve dhe preferencave sipas trendeve të kohës, si: vila, kamp – shtëpiza, vikendica etj. Ky fakt dëshmon se nuk i ka lënë indiferent edhe banorët vendasë të fshatrave të Sharrit dhe të Rrëzës së Sharrit – në zhvillimin e turizmit rural – me hapjen e shumë lokaleve e restoranteve me gatime dhe shërbime: “a ll a – k a t u n d a r ç e”, që mund të përmendim: “Manastiri” Leshkë, “Te Gryka” – Sllatinë, “Panorama” – Përshevcë, “Relaks” – Dobrosht, “Proficio” – Odri, etj.
Duhej të kalonte një kohë kaq e gjatë, për t’u bërë krejt kjo që dikur e bënin dhe po vazhdojnë ta bëjnë vendet e zhvilluara me pasuritë natyrore – për t’i shfrytëzuar ato për nevojat e veta. Janë këto vlera burimore mbushulluese shumë të begata – me pyjet e panumërta, majat atraktive për sporte dimri, hapësirat e paskajshme me fruta malore, bukuritë estetike të pejzazheve të papërsëritura, flora dhe fauna që mund të konsiderohen si “mall” shumë kualitativ, i cili mund edhe të “shitet” në hesap, dhe, kështu, nga këto resurse, s’ka pse të mos ketë përfitime e të mos jetohet mirë… Prandaj, mos të lakmojmë “të huajën”, duke e pasur tonën në “bafçe”! Të mendojmë për atë që kemi, jo të përçiremi për atë që na mungon!