Trençevska: Masa të reja sociale që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së pensionistëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në një paraqitje KTV të Kavadarit, ka folur për detyrat e Grupit Punues i cili është formuar në seancën e fundit të Qeverisë dhe për kërkesat e pensionistëve. Ajo theksoi se në një shtet demokratik kushdo që nuk është i kënaqur me politikat mund të shprehë pakënaqësinë e tij dhe se kjo është një e drejtë legjitime, po ashtu kujtoi se metodologjia për rritjen e pagave në momentin e miratimit është mirëpritur nga të gjithë pensionistët, transmeton Portalb.mk.

“Rritja e pensioneve nuk do të varet se kush është ministër, sepse metodologjia për rritjen e pensioneve pason rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare. Dhe në kohën kur nuk do të kemi inflacion, pensioni do të rritet sepse do të rritet paga mesatare”, tha Trençevska.

Ministrja tregoi se me këtë metodologji rritja e pensioneve është 24% në një vit e 6 muaj.

Trençevska foli edhe për formimin e grupit punues për miratimin e Ligjit për pensionin minimal dhe krijimin e masave sociale që duhet t’u ndihmojnë pensionistëve me të ardhura më të ulëta. Ajo tregoi se pensioni minimal do të përcaktohet në mënyrë që të mos jetë nën pragun e varfërisë.

“Grupi i punës do të krijojë një sërë masash sociale në bashkëpunim me Fondin e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për disa nga barnat që përdoren më shpesh dhe nuk janë në listën pozitive për t’u vendosur në të. Do të punojmë edhe në rritjen e pragut për trajtim spitalor falas, do të punojmë edhe në masa që do të përfshijnë ndihmë direkte financiare”, tha Trençevska.

Golgota e pensionistëve është një histori e gjatë në Maqedoni. Është po aq e vjetër sa edhe vetë vendi. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në vend numërohen 333.882 pensionistë. Prej tyre, 94.117 në muajin prill kanë marrë pension deri në 13.300 denarë, pothuajse po aq kanë marrë mbi 22.000 denarë, 78.627 pensionistë kanë marrë pension nga 16.000 deri në 22.000 denarë, dhe 67.013 pensionistë kanë marrë 13.300 denarë deri në16.000 denarë. Pensioni më i lartë në vend është rreth 70.000 denarë dhe e marrin vetëm 74 pensionistë.