Shkup, është rritur numri i personave që bien pa ndjenja për shkak të motit të nxehtë

Për shkak të motit të nxehtë, urgjenca mjekësore këto ditë ka pasur numër të shtuar të ndërhyrjeve gjatë rënieve pa ndjenja në ambiente publike. Nga Shërbimi Emergjent bëjnë të ditur se gjatë ditës kanë marrë raportime për rreth dhjetëra rënie të fikëti, transmeton Portalb.mk.

“Po bien pa ndjeja si qytetarët e rinj ashtu edhe ata të moshuar. Kemi rreth dhjetëra raportime për rënie pa ndjenja çdo ditë. A është në autobus, a është në vendin e punës”, thotë në një deklaratë për MIA-në, mjeku Rihad Rexhepi, shef i ndërrimit në Shërbimin Emergjent mjekësor në Shkup.

Sipas tij, këto ditë ka pasur rritje të thirrjeve nga personat që kanë kërkuar këshilla përmes telefonit.

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë, Lilija Çolakova-Dervishova, thotë se për shkak të motit të nxehtë, këto ditë, vetëm në ordinancën e saj janë dërguar dy persona me infarkt.

“Është vërejtur që njerëzit kanë probleme, veçanërisht ata me sëmundje kronike. Apelet tona janë që ata të mos lëvizin në vapë, të mbarojnë të gjitha detyrat në orët e para të mëngjesit. Rekomandojmë ushqim shumë të lehtë, për të shmangur ngrënien në sasi të mëdha gjatë orëve të nxehta. Qytetarët duhet të pinë shumë lëngje gjatë ditës”, thotë Çolakova-Dervishova për MIA-në.

Për shkak të paralajmërimeve për temperatura jashtëzakonisht të larta, të cilat kalojnë mbi 35 gradë celsius në të gjithë territorin e vendit, në periudhën nga dita e mërkurë – 10.07.2024, deri të premten – 12.07.2024, rekomandohet që grupet më të rrezikuara të popullsisë, si: të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të punojnë me orar të shkurtuar, duke filluar nga ora 07:30 deri në orën 12:00, kurse në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshte) nuk duhet të praktikohet asnjë aktivitet fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00, njoftoi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.

“Të gjithë qytetarëve u rekomandohet që të qëndrojnë në ambiente me kondicioner, të konsumojnë shumë lëngje, të veshin rroba të lehta dhe të ekspozohen sa më pak ndaj temperaturave të jashtme”, shkroi ai në Facebook.

Rekomandimet për përballimin e motit të nxehtë kanë mbërritur këto ditë nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP). Nga aty rekomandojnë që qytetarët të mbajnë gjithmonë me vete një shishe me ujë, të jenë të veshur me rroba të ndritshme, të lehta dhe komode dhe të mbrojnë kokën kapele apo çadër. IShP gjithashtu thotë se duhet të hani fruta dhe sallata, të mos hani ushqime të nxehta, pikante dhe të kripura që mund t’ju dehidratojnë, si dhe të shmangni pirjen alkoolike, të kafesë, çajit.

Në rekomandimin e IShP-së thuhet se qytetarët duhet të freskohen me ventilatorë apo kondicionerë dhe të bëjnë dush me ujë më të freskët apo të vakët.

Aktivitetet në natyrë, shton IShP, duhet të jenë në periudha më të freskëta të ditës, para orës 11 dhe pas orës 17:00.

Parashikimet e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) janë se këto ditë do të vazhdojë periudha e motit me diell dhe shumë e nxehtë me temperatura ditore që në disa vende do të kalojnë 40 gradë.

Njoftimet nga DPHM janë se nga sot deri në mesin e javës së ardhshme do të aktivizohet niveli portokalli në disa vende për rrezikun e temperaturave të larta. Përjashtim do të ketë të dielën, kur sipas sinoptikanëve do të ketë shfaqje të izoluar të jostabilitetit me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima pasdite.