Tregtarët kundërshtojnë mbylljen e ‘Tregut të Grave’, protestë para Myftinisë së Tetovës (Video)

Tregtarët nga Tetova sot në shenjë proteste u mblodhën para Myftinisë, pasi nga kjo e fundit kanë pranuar njoftim që ta lirojnë hapsirën e ‘Tregut të Grave’, raporton Portalb.mk

Tregtarët shprehen të revoltuar pasi siç thonë mbi 30 vite shesin në këto hapsira dhe me të ardhurat mbajnë familje. 

Sipas tyre, edhe afati i dhënë është shumë i shkurtër, siç thonë nuk mund t’i shesin mallrat për kaq shpejtë. 

Ata kërkojnë zgjidhje më të qëndrueshme nga Myftinia. 

“Kërkojmë nga Bashkësia Fetare Islame, sepse dje na erdhën si në dasmë, që urgjentisht, që javën që vjen, të lirohet tregu i grave. Unë aty kam punuar dhe kam mbajtur familjen për 30 vite. Kam bërë pagesa, më pak 18 mijë euro, kam paguar 50 euro në muaj dhe vetëm katër ditë kam punuar aty. Unë pajtohem se është pronë e BFI-së, por shteti, si shtet që është, duhet të japë një ofertë për dy apo tre muaj dhe të gjejë një vend tjetër ku unë të punoj, unë mbaj familje, jo sot për sot nesër të dalësh”, tha një tregtar. 

“Çdo qytet ka tregun e grave, i vetmi qytet që do të mbetet pa të do të jetë Tetova. Ato shtëpi, për shkak të tregut, mbajnë gjallë edhe dyqanet; me një plumb vriten dy veta”, tha një tregtar tjetër. 

“Nuk dimë ndonjë vend në botë ku nuk ka pazar, dhe me automatizëm shumica e njerëzve në atë pazar kanë investuar në mall, kanë blerë rroba, kanë blerë mallra, dhe të vish të thuash që javën tjetër të mbyllet është pak absurde. Shumica e objekteve që kemi janë me dyqane, ato punojnë sadopak, dhe tani vjen dikush e thotë se duhet të mbyllet. Çfarë do të ndodhë me strukturën e atyre shtëpive, a i intereson kjo dikujt”, tha një tregtar. 

Myftiu i Tetovës Selver Xhemaili, pas takimit me shitësit, theksoi se ata do të kenë kohë që deri në gusht të vitit të ardhshëm ta shfrytëzojnë vendin. 

“Në bashkëbisedim me pronarët e tezgave u morëm vesh që për një afat kohor deri sa bëjnë shitjen e mallit pra deri në fund të gushtit të punojnë, t’i shfrytëzojnë, ndërsa pjesën tjetër që janë jashtë funksionit të largohen nga aty dhe të shfrytëzohet vendi për ndonjë parking apo veprimtari tjetër varësisht prej nevojës”, Selver Xhemaili. 

Ndryshe, në Tetovë në këtë hapsirë të njohur si ‘Tregu i Grave’ çdo të enjte kur është ditë tregu vijnë tregtarë nga i gjithë vendi dhe shesin produktet e tyre.