Tre të arrestuar për vrasjen në Tetovë 

Policia e Tetovës ka arrestuar tre persona lidhur me të shtënat e djeshme ku mbeti një person i vrarë dhe katër të plagosur, raporton Portalb.mk

“Tre persona janë privuar nga liria. Gjatë kontrollit dhe bastisjeve në disa lokacione në fshatin Gajre të Tetovës, janë gjetur objekte me interes për hetimin”, informoi SPB Tetovë. 

Ata shtojnë se po ndërmerren masa dhe aktivitete për sqarimin e plotë të rastit dhe gjetjen e objekteve dhe personave të tjerë që kanë qenë të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit. 

Kujtojmë se dje në Tetovë ka ndodhur një shkëmbim zjarri mes personave nga dy automjete, me ç’rast ka ndodhur edhe një aksident trafiku.

Një person u vra në veturë ndërsa katër të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një vajzë e mitur. Ata janë dërguar për mjekim në klinikat e Shkupit.

Më datë 10.08, në SPB Tetovë, në ora 12:30, është raportuar se në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, ka ndodhur një shkëmbim zjarri mes personave nga dy automjete, me ç’rast ka ndodhur edhe një aksident trafiku, pas së cilës të dyja automjetet e kanë lëshuar vendin e ngjarjes, njëri prej tyre është drejtuar drejt rrugës “113”, ndërsa tjetri në drejtim të panjohur.

Nga informatat e marra nga qytetarët dhe dëshmitarët okularë në vendngjarje, është marrë informacion se automjeti që është drejtuar drejt rrugës “113” është një automjet pasagjerësh “Ford Fiesta” me targa të Tetovës. 

Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhet fjalë për targa të çregjistruara nga i njëjti automjet, në pronësi të personit E.M.(19) nga fshati Gajre e Tetovës. 

Gjatë marrjes së masave, në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” me rrugën “107” është gjetur një automjet pasagjerësh “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës, në pronësi të F.R.(46) nga Tetova, ndërsa brenda automjetit është gjetur një person i vdekur me plagë nga arma e zjarrit. 

Rasti zanafillën e ka që nga viti i kaluar dhe përleshjeve midis dy vëllezërve nga fshati Gajre dhe një familjeje nga Tetova.

Më 11 janar 2024 para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë.

Në lidhje me këtë rast, të shtëna pati edhe më 11 prill 2024, por nuk pati të lënduar.

Ndërkaq më 5 korrik 2024 mbeti i vrarë një person tjetër.

Një muaj më pas, më 24 gusht 2024 Policia e plagosi të dyshuarin e vrasjes gjatë tentimit për ta arrestuar, ai më pas ndërroi jetë.