Tre shtetas bullgarë janë arrestuar në Britani për dyshim të spiunazhit për Rusinë

Tre persona të dyshuar për spiunazh për Rusinë në Britaninë e Madhe janë arrestuar dhe akuzuar si pjesë e një hetimi më të madh të sigurisë kombëtare. Ata janë shtetas bullgarë që dyshohet se punojnë për shërbimet ruse të sigurisë, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.

Detektivët sektorit të terrorizmit në policinë e Londrës, të ngarkuar me hetim të spiunazhit, i kanë arrestuar ata në shkurt të këtij viti në bazë të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.  Tre të dyshuarit janë të akuzuar për posedim të dokumenteve të identifikimit me “qëllim të papërshtatshëm” dhe dyshohet se i kanë poseduar duke e ditur se ato janë false.

Dokumentet përfshijnë pasaporta, letërnjoftime dhe dokumente tjera nga Britania e Madhe, Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Republika Çeke. Që të tre kanë jetuar në Britani, kanë qenë të angazhuar në vende pune të ndryshme dhe kanë qëndruar në një sërë pronash në periferi.

Bëhet fjalë për Orlin Rusev (45 vjeç) nga Great Yarmouth, Norfolk, për Bizer Djambazov (41 vjeç), nga Harrow, në veri-perëndim të Londrës dhe Katerin Ivanova (31) nga e njëjta adresë në Harrow.

Rusev ka një histori të të bërit biznes në Rusi. Ai është shpërngulur në Britaninë e Madhe në vitin 2009-të dhe ka kaluar tre vite duke punuar në shërbime financiare. Profili i tij në Linkedin tregon se ai më vonë ka zotëruar një biznes të përfshirë në inteligjencën e sinjaleve, që përfshin ndjekjen e komunikimeve dhe sinjaleve elektronike.

Xhambazi është përshkruar si shofer i spitaleve, ndërsa Ivanova e përshkruan veten në profilin e saj në Linkedin si një teknik laboratorik për një biznes privat shëndetësor.