RMV, janë arrestuar 18 persona për kontrabandim të automjeteve luksoze, mes tyre 5 zyrtarë policorë

Njëzetë persona dyshohen, ndërkaq 18 janë arrestuar në një hetim të madh të Policisë dhe Prokurorisë. Gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit, janë kryer bastisje në 24 lokacione, janë konfiskuar 14 automjete dhe një motor, në vlerë prej gjysmë milioni euro. Dy persona janë në kërkim dhe për ato do të caktohet masa e paraburgimit në mungesë, njofton Portalb.mk.

Hetimi, siç kumtoi prokurorja Natasha Saramandova, ka të bëjë me kontrabandimin e veturave luksoze.

Hetimi është ngritur kundër 8 personave për vepra të vazhduara penale – kontrabandim, fshehje të mallrave të cilat janë pjesë e kontrandimit dh e mashtrim doganor, falsifikim kompjuterik dhe falsifikim të dokumenteve.

12 personat tjerë fizik dhe një person juridik dyshohen për vepra penale për të cilat ndiqen në procedurë të shkurtuar. Në  mesin e të dyshuarve ka edhe pesë zyrtarë policorë – referentë për punë administrative në MPB.

“Gjatë procedurës paraprake janë siguruar prova se gjatë vitit 2021 dhe 2022, të dyshuarit kanë organizuar dhe marrë pjesë në transportimin e automjeteve duke shmangur kontrollin doganor si mall i pa lajmëruar në vlerë të përgjithshme në masa të mëdha, kanë përdorur dokumente publike të rrejshme si të vërteta që t’i regjistrojnë automjetet, pas çka i kanë shituar automjetet për të cilët e kanë ditur se janë pjesë e veprës penale”, thonë nga Prokuroria.

Automjetet, shumica e të cilave kanë qenë pjesë e hetimeve ndërkombëtare, janë blerë në vende të ndryshme evropiane dhe kanë i kanë sjellë në vend me numra të ndryshuar identifikues të shasisë dhe dokumenteve që të mbulohet prejardhja. Pastaj, të dyshuarit, persona zyrtar në MPB kanë kryer regjistrim të automjeteve në bazë të dokumentacionit të rrejshëm.

Me qëllim që të mbulohen gjurmët, automjetet i kanë shituar mes vete disa herë për periudhë të shkurtër kohore, pas çka ua kanë shitur personave fizik dhe juridik në shtet.

Prokurori publik deri te Gjykata Themelore Penale dorëzoi propozim për caktimin e masës së paraburgimit për tetë të dyshuarit për të cilët po udhëhiqet hetim, derisa për të tjerët është caktuar masa e kujdesit.