Transportuesit privatë as sot nuk qarkullojnë, paralajmëruan rikthim të mundshëm ditën e hënë

Autobusët privatë sot nuk qarkullojnë më në rrugët e Shkupit, e kështu do të jetë edhe gjatë fundjavës. Transportuesit privatë presin seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku do të shqyrtohet propozimi që dje me këshilltarët nga VMRO-DPMNE-ja u dakorduan për rritjen e çmimit për kilometër të kaluar nga 70 në 100 denarë, transmeton Portalb.mk.

Pas këtij propozimi, transportuesit privatë thanë se do t’i anulojnë bllokadat që kishin paralajmëruar më herët dhe bëjnë të ditur se nga e hëna mund të rikthehen në rrugë.

“Duhet të koordinohemi me kompanitë tona, ju e dini që jemi të rraskapitur financiarisht. Ne duhet të shohim nëse fondet do të disbursohen, të shohim se çfarë thotë qyteti për këtë dhe pasi të bëjmë konsultimin, do të marrim një vendim që kur të fillojmë të vozisim. Shpresoj që nga e hëna në vend të bllokadave do të jemi në rrugët e Shkupit dhe do të jemi në shërbim të qytetit të Shkupit”, tha mbrëmë pas takimit Jovica Zafirovski si përfaqësues i transportuesve privatë.

Ai tha se janë të kënaqur me propozimin për rritjen e çmimit për kilometër të kaluar nga 70 në 100 denarë, për të cilin thonë se edhe pse është masë e përkohshme, besojnë se në negociatat e mëtutjeshme me qytetin dhe këshilltarët do të ketë një zgjidhje të përhershme. 

Dje, kompanitë private u gjendën sërish në fokusin e publikut pasi njoftuan se do të bllokojnë rrugët nga e hëna nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për rritje të çmimit për kilometër.

Për shkak të seriozitetit të problemit me transportuesit privatë, këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e LSDM-së dje i kanë dërguar kërkesë kryetarit të Këshillit, Trajko Sllaveski, që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

LSDM thotë se për shkak të hedhjes së përgjegjësisë se kush është fajtor dhe kush duhet ta zgjidhë problemin, qytetarët po përballen me mungesë të transportit publik.

Sipas LSDM-së opozitare, faji i drejtpërdrejtë për gjendjen e transportit publik është i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët thonë se “vazhdimisht refuzojnë të votojnë për blerjen e autobusëve të rinj ekologjiik”.

Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi javën e kaluar kur autobusët e Ndërmarrjes së Transportit Publik mbetën pa naftë pas anulimit të prokurimit publik. Janë vënë në qarkullim vetëm rreth 30 autobusë, 25 prej të cilëve me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte. Me vendim të Qeverisë është miratuar që të ndahen 250 tonë naftë nga rezervat shtetërore, e cila sipas vlerësimeve duhet të jetë e mjaftueshme deri në realizimin e prokurimit të ri publik për naftën.