Tragjedia në Sllatinë: Të dhënat fillestare të autopsisë tregojnë se helmimi mund të jetë shkaku i vdekjes, nuk janë konstatuar gjurmë dhune
Të gjeturat fillestare nga autopsia tregojnë se helmimi mund të jetë shkak i mundshëm të vdekjes, ndërsa te të vdekurit nuk janë konstatuar gjurmë të tjera dhune. Kështu ka njoftuar Prokuroria lidhur me vdekjen në fshatin Sllatinë të Tetovës të nënës dhe vajzës 4 vjeçare, raporton Portalb.mk.
Prokuroria thekson se të gjeturat fillestare nga autopsia e urdhëruar tregojnë për helmim si shkak të mundshëm të vdekjes, andaj nga të ndjerës janë marrë mostra për analiza shtesë toksikologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit.
“Te të vdekurit nuk u konstatuan gjurmë të tjera dhune. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës nga anëtarët e tjerë të familjes – babai dhe një fëmijë tjetër, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe në to”, tha Prokuroria Publike.
Po ndërmerren veprime të tjera për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Më 8 tetor rreth orës 14 nëna 36 vjeçarja K.Sh. dhe vajza 4 vjeçare janë gjetur të vdekura në shtëpinë e tyre. Në ndërkohë, bashkëshorti 50 vjeçar R.Sh. së bashku me djalin e mitur u transferuan në Spitalin e Tetovës për ndihmë mjekësore. R.Sh. u ndalua në polici për bisedë informative, ndërsa djali i mitur u dërgua nën përkujdesjen e shërbimeve sociale.