Tirana e bllokuar, mijëra qytetarë në protestë kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Mijëra qytetarë u mblodhën sot në qendër të Tiranës në protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Protesta u organizua nga opozita, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.
“Poshtë!”, “Hapi rrugë paqes”, “Narkokarteli po synon fëmijët, familjen dhe dinjitetin e kombit shqiptar”, janë vetëm disa nga pankartat me të cilat sonte, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Qeverisë së Shqipërisë dhe ndërtesës së zyrës së kryeministrit, qytetarët shprehën revoltën ndaj qeverisjes së deritanishme.
Në fjalimet e tyre, përfaqësues të partisë akuzuan për korrupsion në Qeveri, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Zona qendrore e Tiranës është e bllokuar dhe nën masa të rrepta sigurie policore. Mund të vërehen edhe forca speciale të pajisura me maska gazi.
Në muajt e fundit, protesta të tilla në Shqipëri kanë eskaluar, përkatësisht protestuesit janë përplasur me policinë, prandaj rekomandohet kujdes gjatë lëvizjes në qendër të qytetit.