“Tingujt e Oqeanit” është ekspozita e radhës që solli piktorja Ehdina Skenderi në Tetovë, do të jetë e hapur për disa ditë
Në Galerin e Arteve në Tetovë mbrëmë u hap ekspozita “Tingujt e Oqeanit” e piktores Ehdina Skenderi. Pikturat e Ehdinës sollën një përvojë përmbledhëse të natyrës, duke eksploruar lidhjen midis artit dhe tingujve të oqeanit. Në këtë ekspozitë u paraqiten 30 piktura, të punuara në teknikën akril, njofton Portalb.mk.
Në përgjithësi, arti është një pjesë e pandarë e qenies tonë njerëzore dhe ka një ndikim të madh në identitetin tonë individual dhe shoqëror, duke na frymëzuar, nxitur reflektimin dhe shkaktuar ndryshime të rëndësishme në botën në të cilën jetojmë.
Pitorja Ehdina Skenderi për Portalb.mk tha se inspirimi i saj për këto piktura kanë qenë peizazhet detare që është munduar ti pasqyrojë nëpërmjet artit saj, në interpretimin e saj artistik.
“Inspirimi im për këto piktura ka qenë peizazhet detare, pamje nga detrat, nga oqeanet, ajo bukuri që për mua krijohet një magji nga reflektimi i dritës në ujë, që krijohet një botë e çrregullt e pakontrolluar, ndryshimet e atyre ngjyrave nga çasti në çast, për mua ka qenë një burim i pashtershëm inspirimi, që jam munduar ta pasqyrojë nëpërmjet artit tim, në teknikën time, në interpretimin tim artistik, këtë radhë kam punuar në teknikën e akrilit dhe i kam kam paraqitur këto piktura”, tha piktorja Ehdina Skenderi.
Në pyetjen se sa i kushtohet rëndësi artit në përgjithësi piktorja Ehdina theksoi se: “Të rinjtë tash artit nuk i kushtojnë shumë rëndësi, mirëpo duhet që dikush tu’a prezantojë pak më ndryshe, kur ua tregon pak mënyrën e punës, dobitë që i kemi nga arti, ajo pjesa e zhvillimit të imagjinatës, kreativitetit që të bënë të ndihesh pak më e përmbushur si njeri dhe ta shohësh botën më ndryshe. Kur ua prezanton kështu atëherë fëmijët fillojnë ta kuptojnë vlerën, dhe e shoh që ka shumë interesim”.
Piktorja Ehdina shtoi se duhet të flitet më shumë për art, të prezantohen më shumë punime, duhet të ketë më shumë aktivitete, më shumë evenimente.
“Çdo njeri mendoj se e do artin dhe ka njëfarë arsye në vete për art, por duhet që dikush të punon në atë drejtim, që ta nxisë atë artistin. Për të gjithë artdashësit, të cilët nuk kanë pasur mundësi që ta përcjellin mbrëmë, ekspozita do të jetë e hapur për disa ditë me radhë”, tha Skenderi.