Tetova u stolis me bredh nga aktivistët, komunën e konsiderojnë si Grinçi 

Një grup vullnetarësh dhe të rinjsh kanë vendosur një vizatim bredhi në sheshin e Tetovës, ky aksion i tyre vjen nga revolta pasi qyteti nuk është zbukuruar për festat e fundvitit, raporton Portalb.mk

Aktivistët thonë se vendosën të reagojnë në këtë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë e tyre pasi qyteti nuk zbukurohet për festat e fundvitit. 

Aktivistët për Portalb.mk theksuan se indiferenca e autoriteteve të qytetit në Tetovë bën që qytetarët t’i çojnë fëmijët në qytete të tjera për të ndjerë atmosferën festive.

“Ky vizatim i vendosur në shesh tregon pakënaqësinë e një grupi të caktuar vullnetarësh të rinj, të cilët i perceptojnë autoritetet lokale si Grinçin që po shkatërron atmosferën festive në Tetovë”, thanë aktivistët. 

Grinçi nënkupton dikë që jep efekt dëshpërues te të tjerët. 

Kujtojmë që Tetova për të katërtin vit radhazi nuk zbukurohet për festat e fundvitit. Kryetari i Komunës së Tetovës i pyetur nga Portalb.mk se pse nuk do të zbukurohet as këtë vit qyteti tha se nuk ka para.