Tetova e stërmbushur me mbeturina, punëtorët e Higjienës Komunale ende në protestë

Për të tretën ditë Tetova është mbushur me mbeturina, për shkak të grevës së Ndërmarrjes Komunale (NPK) Tetovë “Higjiena Komunale”. Ata nuk mbledhin mbeturina komunale në qytet derisa t’u paguhen pagat e prapambetura dhe kontributet shëndetësore dhe pensionale. Kontejnerët në Tetovë janë stërmbushur me mbeturina dhe për momentin nuk dihet se kur do të përfundojë greva, transmeton Portalb.mk.

“Tre ditë me radhë vijmë në NP ‘Higjiena Komunale’ në Tetovë dhe nuk dalim në terren, por rrimë këtu dhe grevojmë. Përderisa nuk ka pagesa të pagave dhe kontributeve të prapambetura, ne nuk do të mbledhim plehrat. Jemi në kontakt me menaxhmentin dhe përfaqësuesit e kompanisë sllovene që duhet të marrë përsipër. Nga sllovenët morëm premtim se do të paguhemi rregullisht për punën në dhjetor. I takon Komunës të na paguajë pagat e prapambetura”, thonë punëtorët nga “Higjiena Komunale”.

Me fillimin e grevave të punëtorëve komunalë të Tetovës, Komuna e Tetovës ka dërguar komunikatë në të cilën premtoi se do t’i paguajë pagat e prapambetura, por kjo nuk është realizuar deri më sot. Ndërmarrjet e Tetovës disa herë kanë ndërprerë punën edhe për shkak të vonesës së pagave. NJP Tetovë ka kohë që është në krizë të madhe dhe ka grumbulluar miliona borxhe dhe është kompania publike me më shumë borxhe në qytet.

Мë 1 dhjetor, Saubermaher” pritet të fillojë me punë

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kryetari i Komunës së Tetovës ka deklaruar se me këtë marrëveshje punëtorët nuk do të kenë vonesa në paga.

Sipas kontratës, partneri privat obligohet pas lidhjes së kontratës, nga NPK “Tetova” – Tetovë të pranojë së paku 100 persona (69 punëtorë teknikë dhe 31 punëtorë administrativë) për kryerjen e shërbimeve komunale dhe të lidhë kontrata pune me ta për kohë të pacaktuar në pajtim me ligjin për Marrëdhënie Pune, Ligjit për nëpunësit Administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në Sektorin Publik.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që punëtorët e NPK-së protestojnë për vonesë të pagave, ata përballen me këtë problem tani e një kohë të gjatë. Krahas vonesave në paga, ata punojnë edhe në kushte të punës shumë të këqija.