Temperatura të larta gjatë ditëve në vijim, autoritetet në RMV: Të respektohen rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit

Ministria e Shëndetësisë informon opinionin publik se, sipas parashikimit më të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), në periudhën prej 8 deri më 13 gusht, 2025 pritet rritje e ndjeshme e temperaturave ditore, të cilat në disa rajone mund të arrijnë deri në 39°C. Me këtë rast, Ministria rikujton rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të përgjithshme për mbrojtjen e popullatës nga temperaturat e larta, transmeton Portalb.mk.

Rekomandimet përfshijnë:

• Qëndroni në ambiente të mbyllura dhe të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
• Konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur pijet alkoolike dhe ato të ëmbla.
• Vishni rroba të lehta dhe me ngjyrë të çelët, dhe përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë.
• Shmangni aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
• Kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna – këto grupe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave të larta.
• Në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës – kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
• Shtyni aktivitetet në ambient të hapur gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
• Siguroni kushte mikroklimatike (ambient të freskët me temperaturë deri në 25°C) si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.

“Ministria po e ndjek me kujdes situatën në baza ditore dhe do të veprojë sipas vlerësimeve dhe nevojave”, thonë nga MSH.

Nesër dhe në ditët në vijim pritet mot me diell dhe i nxehtë me temperatura deri në 40 gradë Celsius. Pas një ftohjeje afatshkurtër, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftoi një periudhë moti të qëndrueshëm dhe të ngrohtë me rritje të temperaturave ditore.

Nesër në vend do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare, temperaturat e ditës do të rriten deri në 38, ndërsa temperaturat e mëngjesit deri në 20 gradë. Gjatë fundjavës do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare dhe do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga veriu. Temperaturat do të rriten deri në 39 gradë.

Për shkak të motit të nxehtë, Qeveria muajin e kaluar doli me rekomandime për mbrojtje nga moti i nxehtë. Punëdhënësve iu këshillua që deri të shtunën t’i lirojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, ndërsa të mundësohet puna nga distanca dhe orari fleksibël aty ku është e mundur.