Ilaçi kundër korrupsionit është transparenca, thuhet në hulumtimin e Fondacionit Metamorfozis

Korrupsioni mbetet i përhapur dhe problem shqetësues në RMV, ndërkaq “ilaçi” kundër këtij fenomeni shkatërrues është transparenca. Qasja tradicionale e krijimit të sa më shumë ligjeve kanë efikasitet të kufizuar, ndërkaq përgjigja strategjike dhe e qëndrueshme ndaj korrupsionit duhet të jetë integritetit publik. Kjo mund të nxirret nga hulumtimi i Fondacionit MetamorfozisVlerësimi i qeverisjes së mirë së pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon përmes Indeksit të Hapjes”, i cili e analizon hapjen e institucioneve, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut, vazhdon të kenë si një prej sfidave më të mëdha, çrrënjosjen e korrupsionit, i cili ndër vite është një prej pengesave kryesore të zhvillimit të vendit.

Autorja Dançe Danillovska Bajdevska, e cila është dhe drejtoreshë e programit në Fondacionin Metamorfozis, në hulumtimin në fjalë, i cili është publikuar në vitin 2023, bazuar në matjet e vitit 2022, shkruan se korrupsioni çon në politika të gabuara publike, i shpërdoron burimet publike në mënyrë të panevojshme, zgjeron pabarazitë ekonomike dhe sociale, krijon pakënaqësi dhe polarizim politik dhe e ul besimin në institucionet që duhet t’i shërbejnë interesit publik.

Sipas hulumtimit, qasjet tradicionale të bazuara në krijimin e sa më shumë rregullave, respektimin më të rreptë të legjislacionit dhe zbatimin më të rreptë, padyshim kanë efikasitet ë kufizuar. “Shumë autorë që e hulumtojnë këtë temë konstatojnë se përgjigja strategjike dhe e qëndrueshme ndaj korrupsionit duhet të jetë integriteti publik”, thuhet në hulumtim.

Pikërisht, ky vizion strategjik i mungon Maqedonisë së Veriut, e cila ka probleme me korrupsionin.

“Nga këndvështrimi i sotëm, shteti ka shfaqur një tendencë përmirësimi të pozicionit të tij në luftën kundër korrupsionit për dy vite radhazi, por mbetet e rëndësishme krijimi dhe imponimi i një vizioni për një strategji të integritetit publik, duke e hequr fokusin nga politikat ad-hok të integritetit, nëpërmjet një përqasjeje që bazohet në kulturën e integritetit. Sepse, përfundimi është se në vitin 2022 korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese”, thuhet në hulumtim.

Nga Metamorofozis, për Portalb.mk thonë se “shkatërrimi i korrupsionit është thelbësore për rritjen e besueshmërisë në institucione, mbrojtjen e demokracisë, promovimin e drejtësisë dhe qeverisjes së mirë”.

“Vegël e fuqishme në luftën kundër korrupsionit është mu transparenca pasi që mundëson mbikëqyrje nga ana e publikut dhe i nxit institucionet në përgjegjësi më të madhe në krijimin e politikave dhe menaxhimin me buxhetin shtetëror”, thonë nga Metamrofozis.

Sipas hulumtimit të Fondacionit Metamorfozis ”është e rëndësishme të ekzistojnë mekanizma që do të parandalojnë raste nga ekspozimi nga ryshfeti dhe shfrytëzimi i lidhjeve personale, deri në praktikat e shpërndara të nepotizmit, kronizmit, klientelizmit, gjegjësisht keqpërdorimit të ndikimit politik që ndodh mes elitave”.

“Pjesë e këtyre mekanizmave janë politikat e integritetit, kodet etike, rregullat e mbrojtjes së sinjalizuesve, mekanizmat për parandalimin e konfliktit të interesit, rregullimi i lobimit etj. Pra, në këtë nënkategori, ato shihen si mënyra përmes të cilave mund të parandalohet dhe të kontrollohet shfaqja e ndikimit politik, gjegjësisht keqpërdorimi i pushtetit”, thuhet në hulumtim.

Nga Metamorfozis thonë se gjithashtu, teknologjitë e reja mund të ndihmojnë në parandalimin e korrupsionit.

“Shfrytëzimi i përfitimeve nga teknologjitë digjitale mundet ndjeshëm ta avancojë transparencën dhe ta zvogëlojë korrupsionin. Nëpërmjet mundësisë së transparencës së lartë dhe qasjes në informata nëpërmjet platformave të internetit në fusha siç është për shembull procesi i furnizimeve publike, por edhe ndjekja e gjendjes pronësore të personave të zgjedhur dhe emëruar, pore edhe të personave publik zyrtar mund të ulet korrupsioni. Zbatimi i furnizimeve në mënyrë transparente, me ankand publik dhe planet e publikuara për furnizime publike, thirrje me kritere të qarta për ndarjen e marrëveshjeve, por edhe publikimi i marrëveshjeve të nënshkruara apo anekset e tyre, i ulin mundësitë për korrupsion. U tregua se vëzhgimi i sektorit civil dhe gazetarëve ndaj informatave për furnizime publike me sukses kontribuon në identifikimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit, duke e ngritur vetëdijen publike dhe duke kërkuar përgjegjësi nga funksionarët”, thonë nga Metamorfozis.

Në hulumtim rekomandohet që institucionet ta rrisin ndjeshëm edukimin e të punësuarve, të forcohet roli i Antikorrupsionit dhe të përforcohet monitorimi dhe raportimi në lidhje me kornizën ligjore dhe politike të kësaj fushe.

“Institucionet duhet të rrisin ndjeshëm aktivitetet edukative për nëpunësit për tema si p.sh. konflikti i interesit, parandalimi i korrupsionit dhe mbrojtja e sinjalizuesve. Duhet të përmirësohet sistemi për monitorimin e gjendjes së pasurisë të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Përmirësimi i formatit në të cilin publikohen deklaratat e pasurisë në format të hapur. Forcimi i kompetencave të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të mundësuar disponueshmërinë publike të deklaratave të pasurisë edhe pas përfundimit të kohës në të cilën kryhet funksioni. Ekziston nevoja për të forcuar instrumentet e monitorimit dhe raportimit në lidhje me kornizën ligjore dhe politike në këtë fushë, në mënyrë që të gjenerohen të dhëna për zbatimin e saj dhe të rritet besimi në sistem”, thuhet në hulumtim.

Komisioni Evropian në mars të këtij viti e ftoi Maqedoninë e Veriut që të bëjë përpjekje të vazhdueshme që të sigurohet gjyqësor i pavarur, profesional dhe transparent. Komisioni theksoi nevojën që të përmirësohen rezultatet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht të nivelit të lartë.

“Komisioni e ka përsëritur shqetësimin e tij serioz në lidhje me ndryshimet e Kodit Penal të miratuar në shtator të vitit 2023, të cilat ndikuan, madje edhe u ndërprenë një sërë procese gjyqësore të korrupsionit në nivel të lartë, duke i penguar autoritetet që t’i hetojnë dhe ndjekin veprat e tilla”, thanë nga Delegacioni i BE-së në Shkup.

Kujtojmë se për çështjen e korrupsionit Maqedonia e Veriut është kritikuar edhe në raportin e Komisioni Evropian të 8 nëntorit 2023. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.