Teatri për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup pa objekt, flet drejtoresha Zarije Jonuzi Çeliku: Nuk shoh dritë jeshile për zgjidhje (Video)

Në vend që jehona e duartrokitjeve të fëmijëve të mbushë një skenë të denjë për ta, Teatri për Fëmijë dhe të Rinj në Shkup vazhdon të mbetet pa objekt. Një institucion që duhet të jetë vatër gëzimi, edukimi dhe arti për brezin e ri, sot mbetet në pasiguri dhe pa zgjidhje konkrete nga institucionet. Mungesa e hapësirës së përhershme po e lë këtë teatër larg kushteve që i nevojiten për të ushtruar misionin e tij kulturor dhe edukativ, shkruan Portalb.mk.

Për një institucion që ka për detyrë të afrojë fëmijët dhe të rinjtë me artin skenik, mungesa e një objekti të vetin është shumë më tepër se një problem teknik apo administrativ. Ajo përbën një pengesë të drejtpërdrejtë për zhvillimin normal të veprimtarisë, për krijimin e shfaqjeve cilësore dhe për ndërtimin e një lidhjeje të qëndrueshme mes teatrit dhe publikut më të ri. Në vend të një ambienti të përshtatshëm për krijimtari, për prova dhe për shfaqje, ky teatër vazhdon të funksionojë në rrethana të paqarta dhe të pasigurta.

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze për qasjen e institucioneve ndaj kulturës për fëmijë dhe të rinj. Nëse një teatër i tillë lihet pa mbështetjen bazë infrastrukturore, atëherë dëmtohet jo vetëm puna e artistëve dhe e stafit, por edhe e drejta e fëmijëve për t’u rritur pranë artit, kulturës dhe edukimit estetik. Në një kohë kur flitet vazhdimisht për investime në të ardhmen e brezave të rinj, mungesa e një zgjidhjeje për këtë teatër tingëllon si shpërfillje ndaj vetë asaj të ardhmeje.

Drejtoresha e Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj, Zarije Jonuzi Çeliku, për Portalb.mk theksoi se sfida më e madhe me të cilën përballet institucioni që ajo udhëheq është çështja e objektit.

“Si sfidë më e madhe dhe si problem më i madh paraqitet çështja e objektit. Ky teatër funksionon në një objekt, mirëpo ai objekt nuk është në pronësi të teatrit tonë, por është në pronësi të Bashkësisë Fetare Islame”, deklaroi Jonuzi Çeliku.

Ajo sqaroi se pikërisht kjo situatë ka krijuar probleme serioze që e vështirësojnë punën e përditshme të teatrit.

“Ne nuk kemi një marrëveshje zyrtare. Nga ana tjetër, ne nuk jemi pala që mund ta bëjë marrëveshjen me Bashkësinë Fetare Islame, por këtë duhet ta bëjë Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Si pasojë e mungesës së kësaj marrëveshjeje ndërmjet Ministrisë dhe Bashkësisë Fetare Islame, ne po hasim në vështirësi të shumta, pothuajse funksionojmë në kushte minimale”, u shpreh drejtoresha.

Sipas saj, mungesa e kësaj marrëveshjeje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në funksionimin normal të institucionit.

“Ne nuk kemi mjete për shpenzimet mujore dhe kjo e ka vështirësuar shumë punën. Tani më jemi të çkyçur nga ngrohja qendrore dhe kjo bën që teatri ynë, për të cilin ka interes shumë të madh nga vizitorët, të funksionojë në mënyrë sezonale”, tha Jonuzi Çeliku.

Ajo shtoi se një tjetër problem serioz është pamundësia për të investuar në rinovimin e objektit.

“Për shkak se ky objekt nuk është në pronësinë tonë, e kemi të vështirë edhe të bëjmë kërkesë për renovimin e tij. Për momentin, nuk shoh ndonjë dritë jeshile për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Zarije Jonuzi Çeliku.

Jonuzi Çeliku, bëri të ditur se gjatë këtij viti institucioni ka planifikuar realizimin e katër projekteve: “Pa të nesërme, “Pirati i Kohës”. Projekti i tretë do të jetë një bashkëpunim me regjisorin nga Kosova, Besim Ugzmajli. Projekti i katërt do të jetë për fëmijët parashkollorë “E bukura dhe bisha”.

Për më tepër ndiqeni bisedën e plotë në videon më poshtë.