“Të rinjtë e papjekur”: Pse radikalizohen? (II)

“Kujdes prej kujt e merrni fenë” kishte postuar në FB para disa ditësh një studente e jona pasiqë kishte kishte ndjekur një ligjëratë ekstreme fetare. Pra, teologjia e pabalancuar, e ngjyrosur me elemente të literalizmit dhe të një konservatorizmi fundamental në leximin e teksteve të shenjta mund të bëjnë për vete shumë njerëz, në veçanti ata që janë të paformuar fetarisht apo ata që janë “jeshilë” apo të papjekur në fe. Të pohosh se jobesimtarët janë kafshë dhe të shtosh “Cofni!” para një auditori krijon animozitet që s’hiqet lehtë nga kujtesa. Pra, fanatizmi i përhapur nga interpretuesit dhe predikuesit e fesë është sot shumë evident edhe në rrjetet sociale ku në pëllëmbë të dorës keni një mori variantesh te ligjërimit/diskursit fetar, nga ai xhamive qendrore, deri te ai alternativ që s’njeh institucion dhe autoritet zyrtar. Dhe të rinjtë sot, si pasojë edhe e indolencës së fesë institucionale, zgjedhin ligjëruesit aktive në youtube, instagram dhe në tik tok që janë më atraktivë ngase shesin gjëra që janë risi në fjalimet shpirtërore, “dëlirësi”, “puritanizëm religjioz”, “fenë e pastër”, “të brezit të parë”, “të Shekullit Profetik apo të Lumturisë”. Pra agresiviteti ligjërimor që duket qysh nga intonacioni por edhe nga mesazhi e bëjnë pranuesin të imitojë lajmpërçuesin, të agresivizohet ditë për dite, derisa të arrijë në pikën kur e zbulon të vërtetën që s’e paska ditur prindi, farefisi madje edhe hoxha i xhamisë, por ai që e shpjegon fenë “pa lakesa”, fenë origjinale që duhet ndjekur. Ky konstatim përbën momentumin kur fëmija shpall armiqësinë me të gjithë, edhe me besimtarët edhe me pabesimtarët dhe është gati për në “front” të davetit (thirrjes) por edhe “militar”, kudo që të paraqitet nevoja. Ai më nuk logjikon, nuk ka koncept sociologjik për mjedisin, kontekstin, kohën, ardhmërinë, për të e vërteta është një dhe “për atë jetohet dhe vdiset”. Është fatkeqësi që sot kategoria e imamëve klasikë shkon duke u fosilizuar; janë të paktë imamët që fetarisht janë muslimanë, por kulturalisht janë edhe shqiptarë, turq, torbeshë, boshnjakë; gjithnjë e më tepër kemi imamë shqiptarë që me tru, mendësi dhe stil jetese arabi-saudiani. Shikojeni vetëm dukjen e një pjese të imamëve që tanimë janë edhe formalë-zyrtarë, që sot nuk veprojnë nëpër skuta e mejtepe alternative por edhe nëpër tempuj qendrorë.

Feja e shfetarizuar, apo light feja, liberalizimi në pamje, dukje, sjellje të popullatës rinore, në veçanti femërore shumë veta i bën që të pyeten “Vallë a kjo është feja jonë?” “Ku është vija e kuqe?” Ky pra është problemi i gjetjes së mesit, midis mjekrës e e pantollave të shkurtra dhe trupit me tatoo-të e mëdha e vathët te meshkujt, mes burkës dhe mbulesës së kombinuar me xhinsa e grim ekstrem. Pra konstatimi është se “po zhbëhemi fetarisht”, “duhet ndjekur udhën e të parëve tanë të mirë”. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.