Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në Gazë në orët e para të 26 dhjetorit, thanë mjekët dhe autoritetet shëndetësore në enklavën palestineze, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Zeitun të Qytetit të Gazës, teksa autoritetet shëndetësore shtuan se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës.
Ndërkaq, një incident të ndarë, pesë gazetarë u vranë kur makina e tyre u godit nga një sulm në afërsi të spitalit Al-Avda, në Nuseirat në Gazën qendrore.
Ata ishin punonjës të kanalit televiziv, Al-Quds Al-Youm. Sipas mediave palestineze dhe gazetarëve lokalë, makina e gazetarëve të vrarë ishte e shënjuar si makinë e ekipeve mediale dhe ishte përdorur nga ta për të raportuar nga brenda spitalit dhe kampit të refugjatëve Nuseirat.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me këto sulme të raportuara.
Megjithatë, një ditë më herët Izraeli dhe Hamasi këmbyen akuza se kanë dështuar të përmbyllin një marrëveshje armëpushimi, pavarësisht se të dyja palët ditëve të fundit thanë se ka përparim në këtë proces.
Edhe pse së fundi palët kanë shprehur optimizëm për një marrëveshje armëpushimi, ende ka pika për të cilat nuk është gjetur pajtim lidhur me këmbimin pengjeve me të burgosurit palestinezë dhe për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.
Lufta gjenocidale në Gaza, deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 45.000 palestinezë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në Rripin e Gazës.