Të paktën 14 palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite vranë të paktën 14 palestinezë gjatë një bastisjeje në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërkaq një shofer i autoambulancës u vra teksa po bartte të plagosurit nga një sulm i ndarë nga kolonët hebrenj, thanë autoritetet palestineze, raporton REL.

Forcat izraelite nisën një bastisje të madhe të premten në zonën e Nur Shams, afër qytetit Tulkarm, dhe shkëmbimi i zjarrit vazhdoi edhe të shtunën.

Në Nur Shams janë parë edhe të paktën tri dronë. Në këtë zonë strehohen refugjatët që janë pasardhës të palestinezëve që u zhvendosën nga lufta e vitit 1948, në kohën kur u krijua shteti i Izraelit.

Brigada e Tulkarmit, që përbëhet nga disa fraksione palestineze, tha se luftëtarët e saj kanë këmbyer zjarr me forcat izraelite.

Bregu Perëndimor, një territor prej afër 100 kilometrash i gjatë dhe 50 kilometrash i gjerë, ka qenë në qendër të konfliktit izraelito-palestinez, që kur ky territor u pushtua nga Izraeli më 1967 gjatë Luftës të Lindjes së Mesme.

Lufta në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka lënë në hije dhunën në Bregun Perëndimor, ku ushtria izraelite rregullisht kryen operacione ndaj grupeve militante, kolonët hebrenj sulmojnë fshatrat palestineze dhe ku palestinezët përleshen në rrugë me izraelitët.

Që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor, mijëra palestinezë janë arrestuar dhe qindra janë vrarë gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.

Autoritetet shëndetësore palestineze konfirmuan se janë vrarë të paktën 14 palestinezë në Bregun Perëndimor. Ndërkaq, ushtria izraelite tha se ka vrarë një numër të militantëve dhe ka arrestuar disa të tjerë gjatë bastisjes, duke shtuar se të paktën katër ushtarë janë plagosur gjatë këmbimit të zjarrit.