Të enjten do të hapet festivali i Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare

Të enjten më 28 maj hapet edicioni i 14-të festivali i Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare, në bashkëpunim me Filharmoninë e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Në këtë festuval do të marrë pjesë një prej violinistëve më të shquar shqiptarë në botë – Shkëlzen Doli.

I lindur në Elbasan dhe i rritur në Gjakovë, Shkëlzen Doli është anëtar i Wiener Philharmoniker (Filharmonia e Vjenës) që prej vitit 2009.

Doli njihet si një artist me virtuozitet të jashtëzakonshëm, interpretim të thellë emocional dhe lidhje të fortë me trashëgiminë shqiptare, duke e sjellë shpesh muzikën klasike pranë publikut shqiptar me koncerte të paharrueshme.

“Ky festival cilësor ka sjellë prej 14 vitesh emra të mëdhenj të muzikës klasike shqiptare si Ermonela Jaho, Inva Mula, Petrit Çeku, Ramë Lahaj, Josif Gjipali dhe shumë të tjerë. Me program të zgjedhur me kujdes, ai bashkon traditën klasike me interpretim modern dhe muzikë bashkëkohore”, thuhet në njoftimin e festivalit.

Po ashtu, në kuadër të festivalit do të paraqitet edhe projekti WBYO Accelerando – Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian që bashkon të rinj muzikantë nga i gjithë rajoni.