Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, për herë të parë një shqiptar mban këtë pozitë

14:00 – Me vota 65 “për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e zgjodhi qeverinë e re teknike në krye me Talat Xhaferin. Në këtë përbërje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të, Punës dhe Politikës Sociale do të udhëheqin kuadrot e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila nuk e votoi qeverinë, njofton Portalb.mk.

Kryeministri dhe ministrat:

  1. Talat Xhaferi – kryeministër;
  2. Sllavjanka Petrovska – Ministria e Mbrojtjes;
  3. Pançe Toshkovski – Ministria e Punëve të Brendshme;
  4. Krenar Lloga – Ministria e Drejtësisë;
  5. Artan Grubi – Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve;
  6. Bujar Osmani – Ministria e Punëve të Jashtme;
  7. Fatmir Besimi – Ministria e Financave;
  8. Kreshnik Bekteshi – Ministria e Ekonomisë;
  9. Lupço Nikolovski – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave;
  10. Fatmir Mexhiti – Ministria e Shëndetësisë;
  11. Jeton Shaqiri – Ministria e Arsimit;
  12. Gjoko Velkovski – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale;
  13. Risto Penov – Ministria e Vetëqeverisjes Lokale;
  14. Bisera Kostadinovska Stojçevska – Ministria e Kulturës;
  15. Azir Aliu – Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike;
  16. Bllagoj Boçvarski – Ministria e Transportit dhe Lidhjeve;
  17. Kaja Shukova – Ministria e Mjedisit Jetësordhe Planifikimit Hapësinor;
  18. Fatmir Bytyqi, Sllavica Grkovska dhe Bojan Mariçiq – ministra pa portofol.

Para Kuvendit, kryeministri dhe ministrat dhanë betimin.

Në seancë shtesë Kuvendi zgjodhi edhe zëvendësministrat e ri të kabinetit të ri qeveritar.

Zëvendësministra:

  1. Tiron Jajaga, zv.ministër i Mbrojtjes
  2. Nazim Bushi, zv.ministër i Punëve të Brendshme
  3. Viktorija Avramovska-Madiq zv.ministre e Drejtësisë
  4. Xhabir Doko zv.ministër në Ministrinë për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve
  5. Fatmire Isaki zv.ministre e Punëve të Jashtme
  6. Filip Nikolloski zv.ministër i Financave
  7. Zoran Manevski zv.ministër i Ekonomisë
  8. Vjollca Berisha zv.ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave
  9. Maja Manoleva, zv.ministre e Shëndetësisë
  10. Agim Nuhiu zv.ministër i Arsimit dhe Shkencës
  11. Enver Husejin zv.ministër i Punës dhe Politikës Sociale
  12. Miki Krstev zv.ministër i Vetëqeverisjes Lokale
  13. Onur Ali zv.ministër i Kulturës
  14. Aleksandar Bajdevski zv.ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës
  15. Bekim Rexhepi, zv.ministër i Transportit dhe Lidhjeve
  16. Hristina Oxhaklieska zv.ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

Zëvendësministra plotësues:

  1. Mitko Bojmacaliev zv.ministër plotësues i Punëve të Brendshme
  2. Jovanka Trençevska zv.ministër plotësues i Punës dhe Politikës Sociale
  3. Elena Petrova zv.ministër plotësues i Financave
  4. Stefan Andonovski zv.ministër plotësues i Shoqërisë Informatike dhe Administratës,
  5. Cvetan Tripunovski zv.ministër plotësues i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave

11.10 – Talat Xhaferi, i cili në seancën e sotme parlamentare është propozuar për kryeministër teknik, në fjalën e ti tha se pavarësisht nëse është Qeveri teknike me mandat një apo njëqind ditë pune, ai do të punojë profesionalisht dhe pa manipulime.

“Unë dhe qeveria që do të drejtoj do të punojmë në zbatimin e politikave të suksesshme të deritanishme, si dhe të përcaktimeve strategjike për integrimin e vendit në BE deri në vitin 2030”, tha Xhaferi.

Duke shpjeguar programin e qeverisë kalimtare, Xhaferi bëri të ditur se do të angazhohet për realizimin e nevojave ekonomike, shëndetësore, arsimore dhe sociale të qytetarëve dhe për rritjen ekonomike. Ai tha se do të ketë dialog të hapur me partitë politike, institucionet dhe qytetarët, si dhe transparencë në punë.

“Nuk është më pak e rëndësishme të përmendet se unë vazhdimisht do të angazhohem për harmoninë etnike dhe harmoninë mes komuniteteve”, tha ai.

Xhaferi falënderoi për besimin liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, si dhe presidentin Stevo Pendarovski, ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe deputetët.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski tha se me zgjedhjen Xhaferit për kryeministër, maqedonasit bëhen qiraxhinj në shtetin e tyre.

“As ai që është ngritur nga karrigia e as ky që do të ulet nuk kanë ndjenja të sinqerta për Maqedoninë. BDI s’ka vota për të zgjedhur kryeministër, Kovaçevski dhe Mariçiq e shitën lirë Maqedoninë. Sot popullin maqedonas e bënë qiraxhi në shtetin e tyre”, tha Milloshevski.

Duke vënë në plan të parë interesin e shtetit, deputetët e LSDM-së si parti progresive dhe pro-evropiane, së bashku me deputetët e shumicës, do ta mbështesin Qeverinë teknike në Kuvendin e Maqedonisë, tha nga foltorja e Kuvendit, deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski. gjatë zgjedhjes së qeverisë teknike.

“Nuk do të lejojmë që DPMNE të hedhë njollë në procesin zgjedhor dhe rrjedhimisht në fitoren e dyfishtë të frontit pro-evropian në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Së bashku me shumicën e deputetëve, bashkë me qytetarët, nuk do të lejojmë që skenarët destruktivë të DPMNE-së të kenë sukses. LSDM në vitet e kaluara ka treguar se është parti demokratike që di të mbrojë zërin e qytetarëve dhe të drejtën e tyre të pacenueshme për të shprehur lirisht vullnetin e tyre. Kështu do të vazhdojmë, tha Kaevski.

Ai tha se VMRO-DPMNE është nervoze për humbjen zgjedhore që i pret.

“Pikërisht për këtë që në fillim obligimi ligjor për një qeveri teknike, qëllimi i vetëm i së cilës është organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, ishte në kërkim të mënyrës për ta problematizuar, për ta penguar, krejtësisht të panevojshme dhe pa bazë”, tha Kaevski.

Në programin e publikuar në faqen e Kuvendit, ndër të tjera, shkruhet se prioritet kryesor i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira dhe të ndershme presidenciale dhe parlamentare, të 24 prillit dhe 8 majit.

Kujtojmë se më 26 janar, Talat Xhaferi dha dorëheqje nga detyra e kryeparlamentarit dhe pranoi nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski mandatin për formimin e Qeverisë teknike, të cilën pritet ta udhëheqë ai si kryeministër i parë shqiptar.

Më 5 qershor të vitit 2020, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në. Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.

Kujtomë dhe se BDI ka thënë që nuk do t’i votojë ministrat e propozuar nga VMRO-ja, pasi që ata nuk e votojnë Xhaferin.