Surprizë për 26-vjetorin e UÇK-së, Shkurte Fejza dhe Ilir Shaqiri këndojnë në Kuvendin e Kosovës

Seanca solemne për nder të 26-vjetorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nisur me një minutë heshtje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për liri, transmeton TCH.

Deputetët kanë nderuar sakrificën dhe flijimin e familjes heroike nga Prekazi. Pozitë e opozitë kanë thënë se liria është amaneti i komandantit legjendar dhe dëshmorëve të lirisë. Në këtë seancë solemne u përmendën edhe ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po gjykohen nga Hagë. Po ashtu, u bë thirrje që të ruhen miqësitë dhe miqve mos t’u mbyllen dyert.

Një surprizë e bukur në këtë seancë ka qenë performanca e Ilir Shaqirit dhe Shkurte Fejzës. Shaqiri ka kënduar “Sërish vjen marsi”, ndërsa Shkurte Fejza këndoi këngën “Mora fjalë” dedikuar komandantit legjendar Adem Jashari.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti u shpreh se qëndresa është virtyt i së drejtës. Ajo nderoi sakrificën e gjithë heronjve për liri dhe pavarësi të vendit.

Në 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni tha se datat 5,6 dhe 7 mars, janë të përjetshme shqiptare. Ai shtoi se krisma e pushkës së Adem Jasharit ishte krisma e mbrojtjes së pragut të shtëpisë.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri nderoi sakrificën e familjes Jashari.