AUV asgjësoi ushqim të pasigurt në shtëpi për të moshuarit, u gjobitën 4 operatorë ushqimorë

Për shkelje në shkallë më të gjerë, 4 operatorëve të ushqimit në azile pleqsh iu shqiptuan gjoba me vlerë 1.550 euro në  kundërvlerë denarësh, ndërsa vetëm një operatori të kontrolluar, 6 kilogramë ushqim të pasigurt u asgjësua në mënyrë të padëmshme, njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk.

Shërbimet inspektuese të AUV-së kryen 39 kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në azile pleqsh në vend. Kontrollet përcaktuan se vetëm njëri nuk ishte i regjistruar si operator ushqimor në AUV, për të cilën iu shqiptua ndalim i përkohshëm pune, gjobë dhe urdhër për regjistrimin e tij në Agjenci.

“Një operator ushqimor nuk i plotësoi kërkesat higjienike për sigurinë ushqimore, dhe 4 nga shtëpitë e të moshuarve të inspektuara nuk kishin kryer kontroll të detyrueshëm shëndetësor për punonjësit. Për mospërputhjet e identifikuara, të cilat lidheshin edhe me mbajtjen e parregullt të evidencës për Higjienën e mirë dhe praktikën e mirë të prodhimit, mosparaqitjen e certifikatave për trajnimin e kryer në fushën e higjienës së ushqimit, evidencat e prokurimit, vonesat në zbatimin e masave të detyrueshme të dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit dhe mospërputhje të tjera të vogla, u lëshuan tre vendime me urdhëresa për heqjen e tyre dhe dy paralajmërime”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Siç shtohet, gjatë inspektimeve të jashtëzakonshme të kryera me të njëjtën kategori operatorësh në nëntor 2024, 14 prej tyre nuk ishin të regjistruar si operatorë ushqimorë me AUV, ndërsa 40 kilogramë ushqim i pasigurt u asgjësua n në mënyrë të padëmshme. U lëshuan 16 vendime me urdhra për të eliminuar mospërputhjet e identifikuara, dhe u vendosën gjoba për 18 shtëpi të moshuarish.