Sulmet në Liban tërhoqën vëmendjen te Njësia sekrete për luftë kibernetike të Izraelit 8200

Sulmi masiv ndaj pagerëve të Hezbollahut dhe radiove të dorës në Liban ka tërhequr vëmendjen te Njësia 8200, divizioni i fshehtë i luftës kibernetike i inteligjencës ushtarake të Izraelit, për të cilin burimet perëndimore të sigurisë thonë se ishte përfshirë në planifikimin e operacionit të paprecedentë, transmeton Reuters.

Izraeli deri më tani nuk ka komentuar publikisht për sulmet e së martës dhe të mërkurës, ku u vranë të paktën 37 njerëz dhe u plagosën më shumë se 3,500, por Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë drejtuar gishtin drejt tij.

Një burim libanez i sigurisë tha se agjencia izraelite e spiunazhit Mossad ishte përgjegjëse për një operacion të sofistikuar në të cilin një sasi e vogël eksplozivi u vendos në 5000 pagera të destinuara për Hezbollahun. Burimet perëndimore, megjithatë, thonë se Njësia 8200, e cila nuk është pjesë e Mossad-it, ishte përfshirë në fazën e zhvillimit të operacionit, i cili ishte më shumë se një vit në përgatitje.

Sipas një burimi, ajo ishte e përfshirë në pjesën teknike të testimit se si të futej materiali shpërthyes gjatë procesit të prodhimit.

Kjo njësi përbëhet nga ushtarë të rinj dhe të zgjedhur posaçërisht, të cilët zhvillojnë dhe operojnë mjetet e inteligjencës dhe në fakt është sistemi i paralajmërimit të hershëm të Izraelit.

“Nuk ka asnjë konfirmim se ky departament është i përfshirë në sulm. Por anëtarët e Njësisë 8200 janë disa nga personeli më i mirë dhe më i zgjuar në ushtrinë izraelite”, tha Yossi Kuperwasser, një ish-zyrtar i inteligjencës ushtarake izraelite.