Sulm i ‘botsave’ kundër studentëve në Serbi: Qindra mijëra profile të rreme dhe raportime masive

Në fund të javës së kaluar studentët në bllokadë e informuan publikun nëpërmjet rrjeteve sociale se kishin vënë re një rritje të madhe të ndjekësve të rremë në profilet që ato i administrojnë. Ata shprehën dyshimin se qëllimi i këtij veprimi ishte mbyllja e llogarive të tyre në Instagram. Dyshimet rezultuan të sakta, pra se ky ishte një operacion i gjerë i një lloji me të cilin nuk ishin përballur kurrë më parë, por se me një reagim të shpejtë dhe adekuat ai u parandalua dhe u shmang dëmi që mund të shkaktonte, shkruan TV serb H1. Një sulm i ngjashëm, pothuajse në të njëjtën kohë, u aktivizua edhe kundër medias “Slloboden Peçat” në Maqedoni dhe llogarisë së tyre në Instagram, e cila që atë ditë është e bllokuar, transmeton Portalb.mk.

Studentët në bllokadë në Serbi fillimisht e vunë re se numri i ndjekësve në llogarinë në Instagram “Studentët në bllokadë” po rritej befas, ndërsa paralelisht me këtë, po ndodhnin sulme në profilet individuale të fakulteteve.

“Është evidente se kjo është një nga përpjekjet patetike për ta kontrolluar popullatën dhe për ta parandaluar përhapjen e mendimit të lirë që bën thirrje për rebelim kundër regjimit të kalbur”, thuhej në profilin “Bllokada Poljoprivreda”.

Në TikTok, pasi algoritmi vuri re një rritje artificiale të numrit të ndjekësve, u fshinë disa profile të studentëve.

Një student në Fakultetin e Shkencave Teknike (FTN), Ballsha Bullatoviq, për N1 tha se janë identifikuar dy lloje sulmesh me të njëjtin qëllim, fshirjen e profileve të studentëve.

I pari është ai në të cilin numri i ndjekësve të rremë nga vendet e tjera rritet befas dhe shpejt, ndërsa raporti i dytë nënkupton përmbajtje masive dhe të papërshtatshme dhe kërkon një reagim automatik nga inteligjenca artificiale e kompanisë Meta, e cila bllokon profilin derisa të kryhet analiza, shpjegon ai.

Sapo vuri re se diçka po ndodhte me profilet, shoqata “IT Bllokada” reagoi me një deklaratë, duke thënë se studentët kishin nevojë për ndihmë urgjente dhe duke vlerësuar se bëhej fjalë për një sulm të koordinuar për t’i fshirë kanalet kryesore të informacionit.

Por, studentët ia dolën mbanë të mbroheshin shpejt dhe t’i zhbllokonin profilet e tyre.

“Nëse menduat se me stafin gjysmë analfabet dhe bot-et tuaja mund t’ua kalonit anëtarëve të klubit të allumnive të fakultetit më të madh në këtë pjesë të Evropës… nga klasat tona kanë dalë me mijëra inxhinierë që punojnë në kompanitë më të mëdha në botë, përfshirë këtu edhe Meta-n”, thuhej në profilin e Fakultetit të Shkencave Teknike, “FTN po zgjohet”.

Edhe grupet e tjera studentore e kanë rimarrë kontrollin mbi profilet e tyre, por ende nuk dihet se kush konkretisht i sulmoi ata.

“Deri më tani këto kanë qenë sulme të kryera përmes institucioneve ose organizatave të caktuara shtetërore. Sipas mendimit tim ky është një lloj i ri sulmi, një nga ‘sulmet më kreative’ ku qëllimi është të shuhet zëri i studentëve”, thotë Ballsha Bullatoviq.

Ai shton se Instagram-i është mjeti më i madh i komunikimit me njerëzit dhe se nëse do të shuheshin profilet me numrin më të madh të ndjekësve “automatikisht do të ndërpritej kontakti i studentëve me pjesën tjetër të botës”.

Profesori Gjorgje Krivokapiq, themelues i Fondacionit Sher, për ТV N1 tha se reagimi ndaj sulmeve ndaj profileve ishte kolektiv, me ç’rast të gjitha profilet e shuara u riaktivizuan me sukses. Ai thotë se këto sulme nuk do t’i quante sulme hakerësh, por një abuzim të mekanizmave në mjedisin online, pra një sulm manipulativ.

“Të gjithë indikatorët tregonin se e gjithë infrastruktura e komunikimit të lëvizjes studentore ishte në rrezik të neutralizohej nga një lloj i caktuar sulmi manipulativ, aspektet e të cilit po i analizojmë”, theksoi ai.

Ai shton se nëse vjen deri në “neutralizimin” e profileve të studentëve përgjegjësia duhet të kërkohet kryesisht nga platformat.

“Por, mediat dhe shoqëria civile kanë për detyrë ta informojnë publikun dhe platformat rreth kësaj çështjeje dhe në këtë mënyrë ta rrisin ndërgjegjësimin e publikut dhe platformave për të ndaluar abuzime të tilla të mekanizmave në mjediset online”, theksoi ai.

Ai theksoi edhe se një sulm i ngjashëm i kësaj shkalle dhe në këtë mënyrë nuk është vënë re deri më tani.

“Nuk është e pazakontë që profilet ose përmbajtjet individuale të jenë shënjestër e raportimit të ‘ushtarëve të informacionit’ që janë në shërbim të aktorëve privatë ose publikë. Ky është problemi më i shpeshtë i aktivistëve dhe gazetarëve të pavarur, si dhe i redaksive më të vogla editoriale kur publikojnë përmbajtje që shihen si kërcënim për ata që janë në pushtet. Por, tani shohim se e gjithë kjo është ngritur në një nivel më të lartë, shohim qindra mijëra ndjekës të rinj nga tregjet lindore. Nuk kemi informacion të verifikuar për atë që po ndodh, por është e qartë se ky është një operacion i gjerë që kërkon burime dhe kapacitete të konsiderueshme organizative”, shpjegon ai.

Ai thotë edhe se e gjithë kjo tregon se ka pasur një nivel të lartë motivimi dhe qëllimi nga ana e personit që qëndron pas sulmit.

“Por, për momentin nuk mund të përcaktohet nëse pas sulmit qëndron regjimi, satelitët e tij privatë, aktorët e jashtëm që synojnë ta destabilizojnë Serbinë ose rajonin, apo disa aktorë të tjerë me një agjendë tjetër”, vlerëson ai.

Meta, shton ai, e dalloi abuzimin me kohë dhe reagoi.

Që kur filluan bllokadat studentore në Serbi pas shembjes së tendës në stacionin e trenit në Novi Sad, mediat sociale janë bërë zëri më i madh i studentëve. Zëri i tyre nuk mund të dëgjohej në televizionin kombëtar, përfshirë këtu edhe servisin publik. Pikërisht ky kanal komunikimi hodhi hije mbi raportimin tradicional, ndërsa profilet e tyre në mediat sociale u bënë mënyra e tyre për të arritur deri tek publiku i gjerë.

Me rastin e sulmit ndaj profilit të tyre studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike (ETF) gjatë bllokadës thanë se ” mund të censurohet vetëm ajo që përfshihet në fantazinë e censurës “.

“Bëni diçka vërtet origjinale dhe censorët do t’i lëshojnë gërshërët nga duart”, shtuan ata.

Në javën e parë të nëntorit filloi një sulm i ngjashëm ndaj një prej mediave më të lexuara dhe më të ndjekura në Maqedoni, Slloboden Peçat. Sulmi përbënte në qindra komente me të njëjtën përmbajtje, gjë që bëri që algoritmi i Instagram-it të krijonte një “shadow ban” të profilit. Përveç komenteve, bot-et bënë edhe një numër jashtëzakonisht të madh të pëlqimeve në përmbajtjen e Slloboden Peçat nga vende të ndryshme. Në një përpjekje për t’u mbrojtur nga sulmi, kolegët nga kjo media e bllokuan profilin e tyre. Meta.mk publikoi një artikull të gjerë rreth sulmit, i cili gjithashtu u sulmua nga bot-et kur u publikua në Instagram.