RMV, studentëve iu del shtrenjtë rruga për në universitet, s’kanë asnjë lehtësim për biletat e transportit ndërurban
Studentët në Maqedoninë e Veriut harxhojnë shuma të papërballueshme të parave për transport ndërurban. Meqë pjesa më e madhe e universiteteve janë në Shkup dhe Tetovë, biletat e transportit deri në këto qytete janë të larta, sidomos nëse duhet të udhëtohet çdo javë. Përderisa në shtetet e Bashkimit Evropian studentët lirohen tërësisht ose pjesërisht nga pagesa e biletave, studentët në Maqedoni paguajnë shumën e njëjtë si gjithë të tjerët. Një grup studentësh kanë ndërmarrë një iniciativë për të ndryshuar këtë, synojnë vendosjen e ‘Kartës Studentore’, shkruan Portalb.mk.
Enisa banon në Tetovë ndërsa aktualisht studijon në Shkup në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, për Portalb thotë se harxhimet javore për transport janë të papërballueshme.
“Unë jam studente, paguaj biletën e autobusit njëjtë sa ata që në fund të muajit kanë të hyra dhe shkojnë në Shkup për punë, kjo nuk është normale. Po, më del shumë shtrenjt pasi thuajse çdo ditë të javës më bije të udhëtoj” tha Enisa.
Këto para, thotë Enisa se do të kishte mundur t’i shfrytëzojë për diçka më të vyeshme për studimet e saja, për shembull: për të blerë libra dhe materiale tjera.
“Për shkak të harxhimeve të tilla që vazhdimisht janë në rritje, librat dhe materialet shkollore kanë filluar të më duken si diçka luksoze, po e limitioj veten pasi s’do ia kisha dalë dot edhe pse nganjëherë ato materiale më nevojiten shumë” shtoi ajo.
Çmimet e biletave janë tejet të larta
Çmimet e biletave për transport ndër qytete u ngritën gjatë pandemisë për shkak të rritjes së çmimit të karburantëve, por edhe pse çmimet e karburantëve u kthyen pothuajse në shumën e njëjtë si para pandemisë, çmimet e biletave të autobusit ngelën të njëjta.
Kompanitë që organizojnë këtë lloj të transportit nuk deshën që të deklarohen publikisht, por jozyrtarisht i thanë gazetarit të Portalb se nuk e kanë në plan uljen e çmimeve të biletave të autobusit.
“Jo, as s’e mendojmë, sidomos tash që çmimet e karburanteve nuk janë stabile dhe kemi rritur pagat e punonjësve, ne punojmë edhe të dielave, krejt këto kanë kosto” tha për Portalb pronari i njërës prej kompanive.
Portalb përgatiti infografik që ilustron çmimet aktuale, në disa prej komunave.
Çmimet janë të ngjashme edhe për transportin ndër qytetet tjera. Institucionet publike në vend nuk kanë të drejtë që të ndërhynë në çmimet e kompanive private.
Pjesa më e madhe e studentëve nuk jetojnë në qytetet ku studiojnë
Në vitin akademik 2023/2024 në universitetet e RMV-së janë regjistruar gjithsej 52,316 studentë. Universiteti me më shumë studentë, edhe atë 25,700 është “Shën Kirili dhe Metodi”, nga të cilët 11,812 nuk janë nga Shkupi, por vijnë nga qytetet tjera.
Përkatësisht, pjesa më e madhe e studentëve që studiojnë në Shkup vijnë nga qytete tjera ndërsa jo të gjithë qëndrojnlë në konvikt, për shkak të kushteve dhe kapaciteteve të limituara të konvikteve për t’i pranuar të gjithë.
Të dhënat i siguruam nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”.
Në Tetovë ka dy universitete, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore. Gijthashtu, pjesa më e madhe e studentëve që studiojnë në këto dy universitete vijnë nga qytete tjera të Maqedonisë së Veriut.
Shfajësohen edhe universitetet, për Portalb thanë se nuk kanë kompetenca që të ndërhynë në çmimet e biletave të autobusit të kompanive private.
Të implementohen praktikat e shteteve të BE-së për këtë
Hana Emërllahu, Edina Elezi, Fjolla Dalipi, Nenad Dimçevski, Sofija Radonciq dhe Dance Nikolova kanë ndërmarrë një iniciativë produkti final i të cilës është hartimi i një dokumenti me anë të së cilit do t’i propozojnë institucioneve shtetërore zgjidhje konkrete të kësaj problematike.
Portalb-i bisedoi me Hanën, njërën prej iniciatoreve, ajo spjegoi që ‘karta studentore’ të cilën synojnë ta vendosin si praktikë në Maqedoni, do t’ju mundësonte studentëve 40 përqind zbritje në biletat mujore dhe ditore.
Për shembull, nëse aktualisht bileta mujore Shkup-Tetovë dhe anasjelltas është 5,500 denarë, përmes ‘kartës studentore’ do të bëhet automatikisht 3,300 denarë.
“Ne vendosem per këtë iniciativë sepse çmimet e biletave te autobusëve jan shumë te larta per studentët qe udhetojnë çdo ditë, por edhe ata të cilët të paktën 3 herë në javë duhet të udhëtojnë. Pasi që transporti nuk është i vetmi shpenzim që kanë studentët, vendosëm që të meremi me lehtësimin e një shpenzimi, mendojmë se kjo do të ndikonte në përmirësimin e jetës studentore në Maqedoni, shpenzimet në këto gjera duhet të jenë brenga e fundit e studentëve” tha Emërllahu.
Shtoi se “studentët paguajnë njëlloj si të gjithë për biletat ditore dhe mujore, kjo nuk është aspak e drejtë, andaj ne institucioneve përkatëse do t’ua prezantojmë idenë tonë, e cila nuk është asgjë e re, por veçse implementohet në shtetet e zhvilluara, në ato të Bashkimit Evropian, meqë edhe e synojmë këtë bashkësi, t’ua marrim praktikat e mira” shtoi ajo.
Hana me koleget e saja presin që kjo kërkesë e tyre të merret parasysh, sidomos tani që është në përpilim e sipër Ligji për Arsim të Lartë.
“E jona është që kërkesat t’i adresojmë tek instrutucionet përkatëse. Pavarësisht se në fund varet nga ata se a do të meren parasysh, ne kerkojmë që të pranohet ky propozim pasi që është në dobi të studentëve dhe do të lehtësojë shumë situatën e tyre financiare. Kjo eshte një çështje qe ka ndikim ne arsimimin dhe mirëqenien e tyre.” tha Hana.
Çfarë konkretisht propozojnë këta studentë?
Kartela ‘Youth Mobility Pass’ që e propozojnë këta studentë do të vlente për të gjithë studentët e regjistruar në universitete të akredituara, që janë të papunë dhe aktivë në studime.
Ata propozojnë që studentët e interesuar të aplikojnë për këtë online, në E-Shërbime ndërsa aplikimet të vlerësohen nga një komision brenda Ministrisë për Arsim dhe Shkencë. Pas kësaj, kompanitë e uatobusëve do të duhet të instalojnë pajisje të cilat do të jenë në gjendje të skanojnë kartën studentore.
Menjëherë pas skanimit të kartës, studentëve do t’ju ofrohet zbritje nga 40 deri në 45 përqind për biletë, qoftë kjo ditore ose mujore. Ata kërkojnë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit të mbikëqyrin zbatimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të kartave studentore.
Që kjo të bëhet më e thjeshtë, këta studentë propozojnë që të krijohet një aplikacion ‘Karta Studentore’ në të cilin do të kenë qasje të gjithë studentët përfitues të kësaj karte, në këtë aplikacon do të mund të kryhen pagesa, të shihen oraret e autobusëve dhe tjera.
Përllogaritjet e tyre janë që implementimi i suksesshëm i kësaj karte studentore shtetit do t’i kushtonte nga 520 milion deri në 600 milion denarë në vjet, nëse përfitues të saj do të ishin mesatarisht 15 mijë studentë.
Shtetet e zhvilluara ndihmojnë studentët
Franca për shembull ofron kartelën “TER youth pass” e cila studentëve ju ofron zbritje për udhëtimet me tren, rajonale dhe ndër urbane. Kjo kartelë është në dispozicion për të rinjtë nga 12 deri në 27 vjeç dhe ofron zbtitje për shërbimet e trenave deri në 50%.
Në Norvergji ofrohet “Nor-Way Bussekspress”, i cili ofron zbritje për udhëtimet ndërkomunale për të rinjtë të cilët udhëtojnë rregullisht për arsye arsimore ose profesionale. Të rinjtë nga mosha 16 deri në 29 vjeç me këtë kartelë përfitojnë zbritje prej 25% deri në 50%.
Zvicra gjithashtu ofron “Swiss Travel Pass” për të rinjtë që udhëtojnë me trena dhe autobusë në qytete të ndryshme. Me këtë kartelë të rinjtë nga mosha 16 deri në 25 vjeç përfitojnë zbritje deri në 30%.
Ndryshe, sipas një hulumtimi të Forumit për Ndryshime në Arsim, studentët shpenzojnë mesatarisht 11,309 euro deri në kryerje të studimeve në Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: Hulumtimi për nevojat e të rinjve në rajonin e Pollogut: Mbi 76 përqind do të largoheshin nga vendi
- LEXO: Shkup, studentët e UNT-së në siklet për shkak të inateve politike të autoriteteve (VIDEO)
- LEXO: Mjekëve të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut iu “digjen xhepat”, kërkojnë ndihmë më të madhe nga autoritetet
- LEXO: ANALIZË: Sa kushtojnë shpenzimet për studentët për semestrin dimëror në gjashtë universitetet shtetërore?
- LEXO: Studentët në RMV përballë shumë harxhimeve dhe as(pak) ndihmave shtetërore, FNA i publikoi shifrat