Studentët u pritën në Beograd, pritet protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Mijëra studentë nga qytete të ndryshme të Serbisë mbërritën mbrëmë në Beograd në këmbë dhe me biçikleta për të marrë pjesë në protestën e madhe që do të mbahet sot gjatë gjithë ditës në kryeqytetin serb, raporton Danas.rs. Në sheshin Terazije, ata u pritën me një ceremoninë festive dhe fishekzjarre gjatë natës. Shumë media botërore e transmetuan drejtpërdrejt pritjen e studentëve. Qytetarët e Beogradit i pritën studentët me lot në sy si çlirimtarë të qytetit dhe të gjithë Serbisë, transmeton Portalb.mk.
Për studentët që erdhën në kryeqytet, u siguruan kapacitete strehimi në disa fakultete dhe disa shkolla të mesme. U vendosën tabela informacioni me udhëzime për transportin e organizuar deri në vendet e akomodimit, përfshirë Fakultetin e Shkencave Politike, Fakultetin e Sporteve, Fakultetin e Mjekësisë, Gimnazin e Zemunit dhe institucione të tjera arsimore.
Nëpër qendrat e qytetit, veçanërisht në Sheshin e Republikës, u vendosën tendat e Kryqit të Kuq, ku ekipet mjekësore studentore ofronin ndihmë për ata që kishin nevojë pas disa ditësh ecjeje deri në Beograd.
Protesta, që fillon sot në orën 16:00, do të organizohet në disa zona të ndryshme të Beogradit.
Studentët i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin konflikte fizike dhe verbale dhe të respektojnë udhëzimet e rojeve të rendit. Ata gjithashtu kërkuan që të mos dilet jashtë kufijve të përcaktuar për tubimin dhe të kujdesen për aktivitetet ndërtimore nëpër rrugë.
“Ju lutemi të mos konsumoni alkool gjatë tubimit. Gjithashtu, ju lutemi të mos sjellni asnjë lloj pajisjeje piroteknike si flakë, fishekzjarre etj”.
Protestat në Serbi, të cilat kulmuan me tubimin e sotëm masiv në Beograd, filluan më shumë se 4 muaj më parë si përgjigje ndaj incidentit tragjik në Novi Sad në nëntor 2024, kur u shemb tenda e stacionit hekurudhor dhe mori 15 jetë. Ngjarja nxori në pah problemin e korrupsionit dhe neglizhencës në projektet e infrastrukturës, gjë që ngjalli zemërim publik dhe nxiti protesta.
Protestuesit e udhëhequr nga studentët po kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe fundin e korrupsionit në qeverinë e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë. Ata e akuzojnë Vuçiqin për sundim autoritar dhe lidhje me strukturat kriminale. Vuçiq i hedh poshtë këto akuza dhe pretendon se protestat janë të nxitura nga forcat e huaja.
Qeveria mori disa masa për të parandaluar pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta, duke përfshirë frikësimin dhe paralajmërimin për dhunë të mundshme. Në kuadër të aktiviteteve të autoriteteve serbe në këtë drejtim, policia ka bastisur pesë organizata joqeveritare, të cilat nuk kanë lidhje me protestat e studentëve. Gjithashtu, një nga arsyet kryesore të zemërimit të studentëve është edhe fakti se ata janë rrahur dhe goditur me automjete në fillim të nivelit organizativ.
Megjithatë, ata qëndruan të vendosur në kërkesat e tyre për drejtësi dhe reforma dhe me kalimin e kohës protestat u bënë gjithnjë e më masive. Aq sa krahasohen me lëvizjet e mëparshme masive në Serbi, siç ishte përmbysja e regjimit të Sllobodan Millosheviqit më 5 tetor 2000.