Studentët e RMV-së që nuk janë pranuar në konviktet studentore mund të ankohen deri më 15 shtator

Ministria për Arsim dhe Shkencë prej sot e deri më 15 shtator do të pranojë ankesa të studentëve në rast se nuk janë pranuar në konviktet studentore, transmeton Portalb.mk.

“Studentët do të mund të paraqesin ankesa në konviktet studentore ku kanë aplikuar për qëndrim. Afati për dorëzimin e ankesave është prej 9 shtatorit e deri më 15 shtator”, njoftoi Ministria.

Sot janë publikuar listat e studentëve që janë pranuar në konviktet studentore në Shkup, Shtip, Manastir, Ohër, Prilep dhe Tetovë.

Ndryshe, afati për aplikim për studentët e vitit të parë do të jetë nga 10 shtatori e deri më 17 shtator. Për studentët e vitit të parë janë ndarë 841 vende, ndërsa për të tjerët 3 413 vende.

Me dokumente, çanta dhe valixhe në duar, qindra studentë pritën sot (9 shtator) në radhë përpara konviktit “Goce Dellçev” në mënyrë që të zhvendosen në dhomat e tyre. Këtë vit, ashtu si në të kaluarën, procesi i zhvendosjes dhe pranimit nuk është digjitalizuar, kështu që studentët e pranuar detyrohen të presin fizikisht në radhë me orë të tëra derisa të arrijnë në ambientet e tyre.