Spiropali vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe Shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, vizitoi Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup dhe Manastirin, ku pati rast që të njihet drejtpërdrejt me disa nga vlerat që trashëgoi Manastiri, sidomos  me jehonën iluministe që prodhoi bashkimi gjuhësor i shqiptarëve në Kongresin e Alfabetit (1908), transmeton Portalb.mk.

Në Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Spiropali u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi dhe personalitete të tjera shtetërore.

“Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është njëra prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tone. 51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin. Me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip”, u shpreh gjatë vizitës Spiropali.

Gjatë këtyre takimeve, Spiropali ka marrë informacione nga drejtori i ITSHKSH Skender Asani mbi trashëgiminë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve.

“Veprimtaria shkencore e botuese e këtij departamenti, tha Asani, ka qenë ngushtë e lidhur me kauzat civilizuese që promovonte Nënë Tereza. Për t’i ilustruar dimensionet universale e humane të këtyre kauzave, drejtori Asani ia dhuroi Spiropalit disa botime mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze si dhe librin “Familjet katolike shqiptare në Shkup” , një hallkë kjo që lidhë kujtesën tonë historike në kohë dhe hapësira të ndryshme. Takimet e kësaj natyre, vuri në dukej Asani, janë mënyra më e mirë e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional me Republikën e Shqipërisë për çështje me interes të përbashkët”, thonë nga ITSHKSH.

Kujtojmë se dje kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dje zhvilloi takim me homologun e saj Afrim Gashi, pas çka mbajtën deklaratë për media.

Spiropali tha se Shqipëria ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Ajo tha se korridori VIII është ëndërr e shqiptarëve, duke shtuar se mezi pret që rrugën Tiranë-Shkup ta bëjë nga ky aks rrugor.

Ajo tha se shpreson që të zbatohet plotësisht ligji, duke shtuar se cenimi i gjuhës shqipe në çfarëdo forme, cenon identitetin e shqiptarëve dhe se shpreson që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të jetë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që në ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë”. Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha

Ndryshe, gjatë muajit tetor pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Spiropali zhvilloi takim edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe kreun e LSDM-së Venko Filipçe.