Specialja ua vazhdoi paraburgimin Thaçit, Veselit dhe Bahtijarit

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur në vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit dhe Ismet Bahtijarit, raporton KlanKosova. Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se Trupi Gjykues, në vendime më vete për secilin, vazhdoi paraburgimin e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.

“Në lidhje me të dy të akuzuarit konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku se do të pengojnë procesin dhe do të kryejnë vepra penale të tjera, dhe se ky rrezik mund të zvogëlohet vetëm me anë të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DHSK-së, përfshirë masat e urdhëruara rishtazi nga Trupi Gjykues”.

“Në këtë kontekst, në rastin e Thaçi Trupi Gjykues përsëriti konstatimet e mëparshme se duket se Thaçi u tregoi vizitorëve informacion të nxjerrë gjatë dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur dhe se dokumentet sugjerojnë se ai i dha një vizitori jo të privilegjuar udhëzime për t’ia kaluar një dëshmitari të ardhshëm të ZPS-së në lidhje me mënyrën dhe përmbajtjen e dëshmisë që do të jepte ai dëshmitar”.

“Më 15 prill, Trupi Gjykues në këtë çështje gjyqësore hodhi poshtë kërkesën e Veselit për leje për apelimin e një vendimi mbi pranimin e disa provave. Trupi Gjykues konstatoi se Mbrojtja e Veselit nuk vërtetoi ndonjë padrejtësi të shkaktuar nga pranimi i provave dhe vuri në dukje se kishte dëgjuar parashtrimet e të dy palëve para se të merrte vendimin”, ka thënë Doyle.

Më pas për Ismet Bahtijarin, Doyle tha se  Gjykatësi i Procedurës Paraprake vazhdoi paraburgimin e Bahtijarit duke konstatuar se kushtet e propozuara nga Mbrojtja mund të zvogëlonin mjaftueshëm rrezikun e arratisjes, atonuk do të mund të kufizonin aftësinë e të akuzuarit për të penguar ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara dhe për të kryer vepra penale të tjera.

“Në veçanti, Gjykatësi i Procedurës Paraprake u shpreh se z. Bahtijari do të kishte motivin, mjetet dhe mundësinë për t’i bërë trysni Dëshmitarit 1 që të mos marrë pjesë në proces, apo të manipulojë provat. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se paraburgimi i z. Bahtijari vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe proporcional”.

“Po në këtë çështje, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i miratoi Mbrojtjes së Bahtijarit zgjatje të afatit deri më 19 prill 2024 për dorëzimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme për të kërkuar ndihmë juridike në Zyrën Administrative të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Doyle.