Spanja thotë se burimet natyrore të Venezuelës i përkasin popullit të saj
Spanja ka deklaruar se burimet natyrore të Venezuelës i përkasin popullit venezuelian. Ajo paralajmëroi se çdo përpjekje për të minuar sovranitetin e këtij shteti krijon një precedent të rrezikshëm për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, tha se kontrolli mbi burimet natyrore është pjesë thelbësore e sovranitetit shtetëror dhe duhet të respektohet.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në Karakas përbëjnë një precedent të rrezikshëm për normat ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se gërryerja e sovranitetit mbi burimet natyrore mund të destabilizojë marrëdhëniet globale.
Albares përsëriti kundërshtimin e Spanjës ndaj çdo përdorimi të forcës ose ndërhyrjeje të jashtme në Venezuelë.
Spanja, sipas tij, mbështet dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Venezuelë. Ajo është e gatshme të ndihmojë në ndërmjetësim kur palët ta shohin të nevojshme.
Albares tha se Spanja synon të veprojë si urë lidhëse në Amerikën Latine dhe jo të nxisë tensione.
Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se Venezuela do të eksportojë naftë të papërpunuar në vlerë deri në 2 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, pasi Karakasi dhe Uashingtoni arritën marrëveshje për këtë.