Mbi 700 fluturime janë anuluar në aeroportin e Amsterdamit për shkak të borës së dendur dhe erërave të forta
Aeroporti “Schiphol” në Amsterdam, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, njoftoi se ka anuluar të paktën 700 fluturime për shkak të borës dhe erës, pas disa ditësh ndërprerjesh në udhëtime të lidhura me kushtet e motit, transmeton Portalb.mk.
Më shumë se 1.000 persona e kanë kaluar natën në “Schiphol”, bëri të ditur aeroporti të mërkurën, duke shtuar se janë vendosur shtretër kampingu dhe u është ofruar mëngjes pasagjerëve që janë detyruar të flenë aty. Pritet që numri i anulimeve të rritet gjatë ditës.
Bora, akulli dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar kaos në disa pjesë të Evropës këtë javë, ndërsa pesë persona janë konfirmuar se kanë humbur jetën të martën në aksidente trafiku në Francë.
Rreth 100 fluturime u anuluan në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris të mërkurën në mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe të ftohtit të madh, ndërsa edhe 40 fluturime të tjera u anuluan në aeroportin “Orly” në kryeqytetin francez, deklaroi ministri francez i Transportit.
Shërbimet e autobusëve publikë në Paris dhe në periferitë përreth u pezulluan për shkak të rrugëve të ngrira, ndonëse shumica e sistemeve të metrosë dhe hekurudhave periferike vazhduan të funksionojnë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të rajonit të Parisit të shmangin udhëtimet e panevojshme të mërkurën dhe të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur.