Qëndrimet e ISA-s të publikuara disa javë pas Forumit të këtij viti (6-11 korrik) të Rabatit i kanë firmosur mbi 200 sociologë izraelitë që dënojnë krimet e bëra na Gaza dhe Bregun Lindor, duke thirrë për presion ndërkombëtar mbi qeverinë izarelite dhe për ndihmë më të madhe për palestinezët. Do shënuar se këto janë zëra individualë, jo të shoqatës zyrtare të këtij vendi, që nuk u bë pjesë e networkut Global Sociologists for Palestine (GS4P) që publikoi një kumtesë të firmosur nga 500 sociologë anekënd botës. Si rrjedhim i kësaj heshtjeje zyrtare të sociologisë zyrtare izraelite, gjegjësisht “për shkak të mosdënimit të gjendjes dramatike në Gaza” Shoqata e Sociologëve Izraelitë (ISS) me vendim të Komitetit Ekzekutiv të ISA-s, më 29 qershor u pushua përkohësisht nga antarësia në këtë institucion ndërkombëtar.
Ndoshta e drejta e vetme me të vërtetë universale e njeriut, siç sugjeroi njëherë Hannah Arendt, është e drejta për të pasur të drejta. Me fjalë të tjera, e drejta e vetme universale e njeriut është t’i përkasësh një komuniteti që njeh dhe mbron të drejtat (Arendt 2004). Sociologu nuk guxon të bëhet objekt i maksimës vizuale japoneze të tre majmunëve: mizaru (見猿), mbyll sytë, kikazaru (聞か猿), mbyll veshët dhe ivazaru (言わ猿), mbyll gojën. Kjo është bërë simbolikë e njerëzve që bëhen se nuk shohin, nuk dëgjojnë të keqen, për pasojë heshtin, s’thonë gjë prej gjëje për ta përmirësuar situatën. Ne do kishim dashur që të ishte aktual skenari pozitiv, ajo e tre majmunave të urtë: “Dëgjo, fol dhe shih vetëm të mirën.” Por, për momentin, edhe sociologjia ka vetëm një porosi: “Ndaleni gjenocidin!”
Një sociologji teoretizuese është e thatë; sociologët duhet të kuptojnë se janë pjesëtarë të pashkëputur të botës të cilën e studiojnë (Burrawoy, 2014) Një sociologji që hesht para të keqes është shkencë konformiste nga e cila s’mund të dalë gjë e mirë. Shkenca dhe etika duhet të shkojnë krah për krah, përndryshe rrezikohemi si specie ne njerëzit por edhe ekzistenca e gjësia në përgjithësi. Vizioni sociologjik i ish-presidentit të ISA, Burrawoy, ka qenë për dialog dhe drejtësi globale. Të shënojmë se ekziston edhe një disiplinë e mbiquajtur sociologji e gjenocidit bazat e të cilës i ka vënë dhe promovohet nga sociologu boshnjak Adib Gjoziq (Sociologija genocida, Studia Bosniaca, 2025), gjithnjë duke vënë nën fokus kalvarin e Bosnjës 1992-1995 dhe Srebrenicën që është bërë simbol i nonshallancës së bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të asaj europiane. Ndoshta titulli duket si oskimoron, por s’është ashtu; i kemi vënë pranë pranë këto dy terma, pozitiv dhe negativ, për të treguar se shkenca mund t’i ndryshojë gjërat nëse është objektive, e ndërgjeshme dhe e zëshme. Lutemi që askund të mos ketë pamje si ato të qytetit Gazës, me familje të zhdukura, me mijëra fëmijë të ekzekutuar, prindër që u shkon piskama në qiell, banorë pa ujë e pa bukë, me njerëz me tenxhere në dorë që presin për një shujtë minimale, fotoaparate me lloç dhe gjak, mjekë e emergjenca të targetuara… Duhet edhe të lutemi, por edhe të veprojmë për ndalim të kësaj çmendurie me aq sa mundemi, ngase fati i jonë është ngushtë i lidhur me fatin e njerëzimit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.