“Skupi Kamerfest” sjell maestro dhe virtuozë në zemër të Shkupit
Prej datës 9 shtator deri më 14 nëntor, do të mbahet edicioni i 8-të i Festivalit të Muzikës Kamertale “Skupi Kamerfest”. Festivali hapet me performancën e Duo Immersio Vienna nga Austria, përbërë nga violinistja Vira Zhuk dhe pianistja Mariam Vardzelashvili. Ky koncert shënon fillimin e një serie ngjarjesh ku publiku do të ketë rastin të dëgjojë emra të shquar të muzikës kamertale nga vende të ndryshme të Evropës, shkruan Portalb.mk.
Nita Grubi drejtoreshë e festivalit për Portalb.mk tha se edhe ky edicion do të sjellë një program të larmishëm për gjithë artdashësit e muzikës kamertale.
“Këtë edicion kemi program të larmishëm, duke filluar me Duon nga Austria e ashtuquajtur si “Duo Immersio Vienna”, me violinisten Vira Zhuk, dhe pianisten Mariam Vardzelashvili, me të cilat bëjmë edhe hapjen edicionit të 8-të të festivalit Skupi Kamerfest me datë 9 shtatorë, vlenë të theksohet se kjo natë është përkrahur edhe nga Ambasada e Austrise në Shkup. Vijojnë edhe emrat si Raffaelo Bertolini-klarinetist nga Italija, violonçelistja Dorina Laro dhe pianistja Ina Petrollari Laço, që të dyja profesoresha në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe pianisti Alfredo Ozaguez Montero nga Spanja. Skupi KamerFest është ndër ngjarjet e rralla të muzikës kamertale në vend, përveç që është festivali i vetëm i këtij karakteri, sjell program premierë të literaturës së muzikës kamertale dhe bashkë me të edhe instrumentist të spikatur të skenës së muzikës klasike. Mesazhi tradicional: bashkësia përmes muzikës kamertale, kultivimi dhe zhvillimi i shijes kulturore. Ndërsa surprizat le të ja lëmë magjisë së koncerteve”, tha Grubi.
Ajo edhe më tej shtoi se këtë edicion tendencat janë që secila natë të jetë si një tregim më vete. Të gjithë artistët që do të jenë pjesë në edicionin e sivjetshëm paraqiten për herë të parë në Shkup.
“Bazuar në edicionet e mëparshme, koncerti i hapjes solemne-si ai nga “Hungarian String Harmony”, më 5 shtator 2024, shpesh konsiderohet kulminant për stil, paraqitje dhe prestigj. Po ashtu, edhe sivjet tendencat janë që secila natë të jetë si një tregim më vete. Të gjithë artistët që do të jenë pjesë në edicionin e sivjetshëm paraqiten për herë të parë në Shkup. Shpresojmë që kjo do të zgjojë kurreshtjen e publikut, gjithashtu veprat që do luhen, duke veçuar Duo Bertollini që pritet të sjelli vepra premierë në Shkup”, tha Grubi.
Nita edhe më tej shtoi se muzika kamertale karakterizohet nga intimiteti, dhe shumë elemente të tjera, publiku në Shkup duket i vlerëson dhe e mbështet këtë lloj festivali.
“Muzika kamertale karakterizohet nga intimiteti, dialogu midis instrumenteve, ndjeshmëria dhe balanca dinamike. Vepra që shpesh janë pjesë e festivalit përfshijnë trio apo duo të njohura nga klasikët Mozart, Beethoven. Publiku në Shkup duket i vlerëson dhe e mbështet këtë lloj festivali-siç shihet nga prania e mirë në koncerte. Muzika kamertale ofron thellësi emotive, reflektim, dhe lidhje njerëzore përmes ndjeshmërisë së interpretimit”, tha Grubi.
Ajo tha se pjesë e festivalit do të jenë edhe shumë aktivitete të tjera përcjellëse.
“Strategjia e festivalit përfshin: seminare, masterklasa për nxënës dhe studentë, performanca nga artistë ndërkombëtarë që interpretojnë veprat më të spikatura të muzikës kamertale”, tha Grubi.
Koncerti i hapjes zhvillohet më 9 shtator në Shkup, në sallën e vogël të Filharmonisë nacionale në Shkup me fillim nga ora 19:00, kurse hyrja është falas.
Skupi KamerFest është pjesë e European Festivals Association (EFA) dhe renditet krah festivaleve më të njohura në rajon. Ai sjell jo vetëm koncerte të nivelit të lartë artistik, por edhe masterklasa dhe seminare për studentë e të rinj, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës muzikore dhe edukimin e brezave të ardhshëm.