Skenën e Operës dhe Baletit në Shkup mbrëmë e zbukuroi kryevepra “Toska” e Xhakomo Puçinit

Mbrëmë në Operën dhe Baletin Nacional u shfaq kryevepra e Xhakomo Puçinit, opera “Toska”, dramë muzikore në kuptimin e vërtetë të fjalës, monumentale, operë e orkestruar në mënyrë të shkëlqyeshme, realiste në tre akte. Dashuria, pasioni, xhelozia dhe intrigat politike janë elementet dramatike lëvizëse të këtij “trileri operistik”, njofton Portalb.mk.

Piktori Kavaradosi, e ndihmon republikanin e arratisur Anxhelotin të strehohet, por shefi i policisë Skarpia dhe agjentët e tij e kuptojnë gjurmën. Me premtime dhe kërcënime të shkathëta, Skarpia zhvat një rrëfim nga Toska, dashnorja e piktorit, dhe ai kapet dhe dënohet me vdekje. Toska kërkon falje, megjithatë Skarpia refuzon. Do ta falte vetëm nëse Toska do të pranonte të ishte e tija. Për ta shpëtuar Kavaradosin, Toska pranon, por në këmbim kërkon që Skarpia t’i japë atij dokumente që do ta lejojnë të largohet i sigurt nga Roma.

Pamje nga shfaqja e operës "Toska", nga OBN/Facebook
Pamje nga shfaqja e operës “Toska”, nga OBN/Facebook

U ra dakord që të shtënat të ishin fiktive. Skarpia përgatit dokumentet dhe kur e dëshiron Toskën, ajo e vret me thikë. Menjëherë i thotë Kavaradosit, se e shtëna do të jetë fiktive.

Megjithatë, Skarpia urdhëroi që Kavaradosi të pushkatohej realisht. Urdhri është ekzekutuar. Toska, e gjitha e tërbuar, kupton se është mashtruar dhe para se të kapet nga agjentët e Skarpies, ajo hidhet nga kalaja e burgut në një humnerë.

Pamje nga shfaqja e operës "Toska", nga OBN/Facebook
Pamje nga shfaqja e operës “Toska”, nga OBN/Facebook

“Toska” është operë në tre akte nga Xhakomo Puçini. Është shkruar sipas libretit italian nga Luixhi Ilika dhe Xhuzepe Xhakoza. Libreti është bazuar në shfaqjen “Toska” të Viktorien Sardu. Premiera botërore e operës u mbajt më 14 janar 1900 në Romë, Itali.

I ftuari nga Italia, Elio Orçuolo, e dirigjoi shfaqjen e kësaj tragjedie dramatike të Puçinit, me regji të Ognjan Draganov nga Bullgaria. Skenografia është e Zoran Nikollovskit, kurse kostumografia e Maria Pupuçevskës, mjeshtre të korit janë Gjurgjica Dashiq dhe Jasmina Gjorgeska, kurse mjeshtër koncerti është Jane Bakevski.

Pamje nga shfaqja e operës "Toska", nga OBN/Facebook
Pamje nga shfaqja e operës “Toska”, nga OBN/Facebook

E ftuara nga Serbia, Maria Jeliq, interpretoi në rolin kryesor, Dario Di Vietri nga Italia, interpretoi rolin e Kavaradosit, Marjan Jovanoski në rolin e Skarpias. Në rolet e tjera morën pjesë Borko Biovski, Dragan Ampov, Nikolla Stojçeski, Tihomir Jakimovski, Dimitar Kozhuharov, Desanka Gligorieviq, Marjan Stojanovski, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.