Roli i Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së në luftimin e krimit

Rasti i fundit i korrupsionit në Kroaci i ish-ministrit të shëndetësisë, ka shpërthyer me një keqkuptim midis Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së, dhe autoriteteve kroate. Të dyja palët kanë thënë se po bëjnë gjënë e duhur, por ligjet kombëtare në këtë rast kanë mbizotëruar mbi ato të BE-së. BE-ja ka akuzuar Kroacinë për shfuqizimin e sundimit të ligjit si një anëtare e unionit.

Agjencitë e huaja raportuan se një mosmarrëveshje midis Kroacisë dhe BE-së ka filluar mbi atë se kush duhet të hetojë një rast korrupsioni të profilit të lartë, pasi Kryeprokurori i BE-së njoftoi se “Zagrebi kishte probleme me respektimin e sundimit të ligjit”. Mosmarrëveshja në mes Kroacisë dhe Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së shpërtheu pasi autoritetet kroate urdhëruan arrestimin e ish-ministrit të shëndetësisë Vili Beros me dyshimin për korrupsion. Më pas Zyra e Prokurorit Publik të BE-së bëri të ditur se “kishte kryer një hetim më të gjerë për rastin”.

Siç e shohim nga ngjarjet e fundit, ligji i BE-së ndonjëherë futet në një cikël të keq të argumenteve të kontestuara ndërmjet shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së. Po ashtu në qershor të këtij viti Werner Hoyer, ish-president i Bankës Evropiane të Investimeve, u vendos nën hetim nga Prokurori Publik i BE-së për korrupsion, akuza të cilat Hoyer i ka cilësuar si “të pabaza”. Raste të ngjashme në BE kemi me qindra, si shembull mund të marrim reagimin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) e cila ka mohuar zërat se është kontaktuar nga Zyra e Prokurorit Publik të BE-së në lidhje me një hetim për keqpërdorimin e fondeve evropiane.

Zyrtarë të BE-së për Euronews kanë konfirmuar se po zhvillojnë “një hetim për keqpërdorim të fondeve të BE-së të kryera në Belgjikë nga anëtarë të EPP-së”. Krahas këtyre rasteve të korrupsionit, keqpërdorime të fondeve të BE-së janë konstatuar në Itali në bujqësi me miliona euro dëme në buxhetin e BE-së. Gjithashtu në Ballkan ku krimi dhe korrupsioni janë në përmasa të larta, Zyra e Prokurorit Publik i ka kushtuar vëmendje disa rasteve në Maqedoninë e Veriut me fonde të cilat janë keqpërdoruar nga ish- zyrtarët e qeverisë në Shkup dhe të Agjencisë për Rini dhe Sport (2017-24). Gjithashtu, disa fonde të BE-së është raportuar se janë keqpërdorur edhe nga OJQ-të. Zyra e Prokurorit Publik të BE-së në kuadrin e luftës kundër korrupsionit ka bashkëpunuar ngushtë me qeveritë e Ballkanit. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kombëtare dhe Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së raportohet të jetë i mirë me shtetet anëtare.

Përtej BE-së, Mali i Zi, Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut kanë përfunduar marrëveshje pune me Zyrën e Prokurorit Publik. Me Serbinë ende nuk ka asgjë konkrete se kur do t’i bashkohet Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së. Nga ngjarjet e fundit, lexuesi ynë mund të vërejë (pa) fuqinë e sotme të BE-së përballë përpjekjeve të shteteve anëtare për të fuqizuar ligjin kombëtarë. Këto janë raste të vërtetuara për të parë gjithashtu se si Zyra e Prokurorit Publik të BE-së është e strukturuar. Zyra e Prokurorit Publik të BE-së është një organ i rëndësishëm që luan rol kritik në BE dhe jashtë unionit. Kjo zyrë, sipas traktatit themelues të Lisbonës bën përpjekje për zbatimin e ligjit. Zyra ka filluar më punë në vitin 2021, ndërsa ideja për themelimin e saj daton që nga viti 2017. Sipas traktatit, zyra është përgjegjëse për “hetimin, ndjekjen penale dhe luftën kundër krimit”.

Zyra ka si objektiv, “mashtrimet, pastrimin e parave, korrupsionin, dhe keqpërdorimin e fondeve të BE-së”. Vlerësohet se Zyra e Prokurorit Publik të BE-së ka kompetenca të gjëra dhe është shumë më e fuqishme se agjencitë tjera të unionit. Sipas të dhënave të BE-së që nga viti 2021, janë regjistruar më shumë se 4000 raporte krimi nga shtetet anëtare të BE-së dhe palët të tjera. Zyra përbëhet nga niveli qendror dhe i kombëtar ku aty marrin pjesë shtetet anëtare të unionit dhe pjesa drejtuese e Prokurorisë Publike. Selia e Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së është në Luksemburg e cila sipas traktatit themelues përbëhet nga “Kryeprokurori evropian; 22 Prokurorë evropianë (një për çdo shtet pjesëmarrës të BE-së), dy prej të cilëve funksionojnë si zëvendës të Kryeprokurorit evropian; dhe Drejtori administrativ”. “Kryeprokurori evropian dhe 22 prokurorët evropianë e përbëjnë Kolegjin e Zyrës së Prokurorit Publik të BE-së”. Kryeprokurore aktuale është Laura Kovesi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.