Situata në veri të Kosovës: Lajçak dhe Escobar vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme

Protestat në veriun e Kosovës vazhdojnë edhe sot. Protestuesit prej ditësh, protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar vazhdon të rrisë presionin mbi Kosovën që të ndërpresë ndërhyrjet e policisë në këtë zonë. Kuvendi i Kosovës diskutoi për këtë. Ndërkaq i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar – i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan  pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, transmeton Portalb.mk.

Lista Serbe: Kurti po akuzon serbë të ndershëm

Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e Kuvendit të Kosovës, publikoi disa emra për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, e ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Lista Serbe thotë se Kurti po akuzon pa bazë pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës “vetëm pse nuk pajtohen me shkeljen e kushteve themelore dhe të drejtat e njeriut”.

“Sa farsë është gjithçka që tha Kurti sot në Kuvend dhe fakti që ai etiketoi si kriminelë dhe organizatorë protestash njerëz të nderuar, gra, invalidë, madje edhe disa që janë në spital dhe nuk kanë qenë në veri të Kosovës për javë të tëra”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Gërvalla: Kosovës nuk po i kërkohet “nënshtrim dhe servilitet”

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha Qeveria e Kosovës është duke vazhduar bisedimet me partnerët e saj ndërkombëtarë, të cilët tha se “synojmë t’i bindim për qëndrimet tona të drejta”.

Deklarata e Gërvallës në Kuvendin e Kosovës vjen në një kohë kur Perëndimi ka rritur presionin diplomatik mbi Kosovën për të ulur tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Franca, Gjermania dhe BE-ja kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.

Ajo shtoi se SHBA-ja dhe partneret në BE nuk kërkojnë nga Kosova “nënshtrim dhe servilitet”,por presin “vendime të guximshme, marrje të përgjegjësisë, debat të hapur në shërbim të prosperitetit të Republikës së Kosovës”.

Lajçak dhe Escobar në Kosovë dhe Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme, më saktësisht të hënën dhe të martën, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Vizita e tyre, sipas burimeve, do t’i ketë dy qëllime kryesore: uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe vazhdimin e punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Trazirat në veri: Petkoviq kritikon Kurtin për publikimin e një liste emrash

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë e Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”. Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

Kurti: Vuçiq u pendua që i tha ‘po’ Marrëveshjes së Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është penduar që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “e di që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruajë”.

Ai e cilësoi situatën në veri të Kosovës si “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele, sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”

“Legjitimiteti [i kryetarëve] është i vakët, mirëpo legaliteti është i plotë. Dhe, ata që na kritikojnë për legjitimitet, nuk kanë legjitimitet sepse i kanë braktisur institucionet”, tha Kurti para ligjvënësve kosovarë.

Kurti, po ashtu, tha se protestuesit në veri të Kosovës nuk kërkojnë zgjedhje të reja komunale.

“Pushteti në Kosovë mund të merret veç me zgjedhje, jo me sulme e granata”, tha ai.

Një “periudhë e pazakonshme” në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë kulmuar vazhdimisht gjatë dekadës së kaluar, duke e shndërruar zonën në skenë të dhunës së paparashikueshme. Por, të fundit kanë bërë që aleatët t’i kërcëllojnë dhëmbët aq shumë dhe t’i ftohin marrëdhëniet me shtetin më të ri në Evropë.

Haradinaj kërkon nisjen e mocionit për shkarkimin e Qeverisë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti, duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi ndaj saj.

“Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që janë ende garanci e sigurisë sonë. Kush përfiton nga kjo, përveç [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit dhe Rusisë? Për këtë ju kërkoj të shkojmë në mocion dhe ta ndërpresim mosbesimin deri në pabesi dhe ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”, tha Haradinaj në seancën e Kuvendit, të thirrur për situatën në veri.

Protestë në Graçanicë

Banorët e Graçanicës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, po protestojnë më 2 qershor në shenjë solidariteti me serbët në veri të Kosovës.

Protestuesit mbajnë në duar pankarta me porositë: “Graçanica është me vëllezërit dhe motrat nga veriu”, “Vëllezër, plagët tuaja edhe neve na dhembin”, ” Zemra e Graçanicës rrah për serbët nga veriu”etj.

Të pranishëm në protestë janë kryesisht punonjës të institucioneve që punojnë sipas sistemit serb, por edhe në ato me sistemin e Kosovës.

Abdixhiku: Pa koordinim me aleatët, Kosova s’mund t’i realizojë as të drejtat e saj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do ta “parandalojë me çdo mjet rrëshqitjen strategjike të Republikës së Kosovës”, pasi që tha se pa koordinim me aleatët e Perëndimin, Kosova nuk mund t’i realizojë as të drejtat e saj.

Abdixhiku tha se partia e tij kishte vendosur të mos garojë në zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – pasi që ndiente se nuk mund t’i përfaqësojë banorët në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

“Ndonëse LDK-ja nuk garoi, ne e kemi mbështetur garën e dy partive politike sepse besojmë që kjo është e drejta e një shteti të pavarur demokratik. Sot, kjo e drejtë e jona, pa Perëndimin e pa aleatë, nuk ka gjasa të ekzistojë”, tha Abdixhiku gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha Kosova historikisht ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe aleatët e saj për t’i arritur të drejtat e saj dhe tha se “kjo nuk është nënshtrim, është mençuri”.

Ai shtoi se nga mosbashkëpunimi i tillë, “do të ketë dëme të pariparueshme për shtetin e Kosovës dhe më pas do t’i vuajmë të gjithë”.

Krasniqi: Veprimet e Kurtit në veri, pa bashkërendim me aleatët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke folur në seancën e Kuvendit, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit u kryen “krye më vete”, pa bashkërendim me aleatët.

“Për herë të parë na ke sjellë në një situatë të na dënojë publikisht sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. Jo vetëm ai, por ai është më e rëndësishmi sepse raporti ynë me SHBA-në është i shenjtë. Nuk të lejojmë ta rrezikosh atë, sepse është i shenjtë”, tha Krasniqi, duke iu referuar deklaratës së Antony Blinkenit.“Sovranitetin nuk mund ta mbash as në zyrën tënde pa e pasur mbështetjen e SHBA-së”, tha Krasniqi.

Sipas tij, edhe mbajtja e procesit zgjedhor në katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – erdhi për shkak të “gabimeve të Kurtit”, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave nga targa KM në RKS që çoi në dorëheqjen e punonjësve serbë nga institucionet e Kosovës.

“Në fund je tërhequr, pse nuk po e përmend?! Nuk ka askund targa. Dhe, në fund, çka ka ndodhur? Të shtë dashur të hyje në proces zgjedhor”, shtoi ai.

Kurti: Shoqërimi i kryetarëve me policë s’ishte vendim politik, por vlerësim i rrezikshmërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës u shoqëruan me forca të sigurisë për shkak se është dashur të sigurohet hyrja e tyre në objekte komunale pa pengesa. Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi se ky nuk ishte vendim politik.

“Në këtë pikë më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë që vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryetar e mbështes këtë – edhe atëherë, edhe sot”, deklaroi Kurti.

Ai tha se e mbështet këtë vendim pasi që incidentet në ditët në vijim e dëshmuan se kishte rrezik për sulme nga “banda kriminale”.

Ai shtoi se eskalimi i situatës më 29 maj – kur ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar – ishte “e planifikuar mirë” dhe e orkestruar nga Beogradi.

Kurti tha se protestat e organizuara në komunat në veri të Kosovës nuk janë vullnet i serbëve lokalë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve, janë pjesë e bandave kriminale, por janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ai, gjithashtu, tha se tani është fjala për “çlirimin e komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik.

Duke folur për situatën në veri, Kurti tha se Lista Serbe duhet t’i paguajë vetë pasojat për tërheqjen nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës. Ai kërkoi që për vendimet e tyre (serbëve të Kosovës) të mos ndëshkohet Kosova.

“Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione, mirëpo gabimin kardinal të Listës Serbe që i bojkotoi zgjedhjet, që i braktisi zgjedhjet, nuk duhet ta paguajnë Republika jonë, por Lista Serbe”, tha Kurti.

Ai tha se këto ishin vendime politike të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – dhe për këta arsye, ata duhen të përballen vetë me pasojat.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se kryeministri është ftuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës të deklarohet për situatën e krijuar në veri dhe për raportet me SHBA-në.