Pendarovski do të marrë pjesë në inaugurimin e Erdoganit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, në Ankara, transmeton Anadolu.

Lajmi është konfirmuar përmes një komunikate për media nga Kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Inaugurimi i presidentit turk Erdogan do të bëhet më 3 qershor 2023, ditën e shtunë.

“Pas ceremonisë së betimit, është planifikuar të marrë pjesë në një darkë gala në Pallatin Çankaya të organizuar nga nikoqiri për krerët e shteteve dhe qeverive dhe të ftuar të tjerë të rangut të lartë që do të jenë të pranishëm në inaugurimin në Ankara”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve i Turqisë shpalli zyrtarisht presidentin Recep Tayip Erdogan fitues të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqisë me 52,18 për qind të votave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale u zhvillua më 28 maj, pasi në raundin e parë më 14 maj, asnjëri nga garuesit nuk arriti shumicën e thjeshtë mbi 50 për qind.