Situata me nivelet e ujit të lumenjve po qetësohet pas ndërprerjes së reshjeve

Ndërprerja e reshjeve gjatë ditës së sotme ka sjellë qetësimin e nivelit të ujërave të lumenjve dhe tani pritet ulje e nivelit të ujit, thotë drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, transmeton 360 Gradë.

Sipas Angellovit, edhe pse shtrati i lumit Vardar në Komunën e Jegunovcit është ende i mbushur, situata dalëngadalë po qetësohet dhe për këtë kontribuon edhe fakti që nuk ka reshje të reja.

Hidrocentrali “Vrutok” do të vazhdojë të qëndrojë i mbyllur dhe nuk do të lëshohet ujë në Vardar për të mos kontribuar në rritjen e mëtejshme të nivelit.

Rënie e nivelit të ujit, Angelov thotë se ka edhe në Lumin “Koçanska” dhe pritjet e tij janë që gjatë ditës gjendja të jetë stabile.

Në lidhje me urën në lumin Pçinjë, Angellov tha se është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe duhet të vlerësojë nëse do ta lërë në përdorim, por sipas tij niveli i lumit është ulur dhe uji nuk paraqet rrezik për urën.

Nga Departamenti i Hidrologjisë në Drejtorinë për Çështje Hidrometeorologjike thonë se deri në fund të ditës pritet rënie graduale e nivelit të ujit të lumit Vardar në pjesën e sipërme të rrjedhës së tij, ndërsa do të ketë rritje të nivelit të ujit në pjesën e mesme dhe të poshtme.

Ata theksojnë se mëngjesin e sotëm është vërejtur rritje minimale e nivelit të ujit të lumit Lepenec, ndërsa të gjitha nivelet e tjera të ujërave të lumenjve në mbarë vendin janë në rënie dhe ky trend pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës së sotme.

Ata bënë me dije për vigjilencë në pellgun e lumit Vardar, ku në pjesën e mesme dhe të poshtme të përroit do të ketë nivel të lartë të ujit gjatë ditës.

Sipas tyre, nga nesër do të mbajë mot me diell dhe dukshëm më i ngrohtë, përveç të mërkurës ku pritet zhvillim lokal me vranësira të paqëndrueshme me kushte për reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima afatshkurtër.

Matjet e mëngjesit të sotëm të Administratës për Çështje Hidrometeorologjike (HMA) kanë treguar se niveli i ujit të lumit Vardar në orën 07:30 ka qenë më i larti në Demir Kapi me 308 centimetra.