Vardari ka kaluar tre metra në Demir Kapi, niveli i ujit është rritur në të gjitha stacionet matëse

Matjet e mëngjesit të Administratës për Çështje Hidrometeorologjike tregojnë se niveli i ujit të lumit Vardar në orën 07:30 është më i larti në Demir Kapi dhe është 308 centimetra. Vardari sot në mëngjes ka nivel të lartë në Jegunovc dhe është 216 centimetra, si dhe në Veles, ku niveli i ujit është 200 centimetra. Sipas informacioneve, niveli mesatar i Vardarit për muajin qershor në këto pjesë është nga 123 centimetra në Demir Kapi deri në 74 në Jegunovc, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Sipas Administratës për Çështje Hidrometeorologjike niveli i ujit është në ngritje në Pçinjë, Cërna Rekë, Strumicë dhe në rrjedhat tjera ujore, ndërsa gjatë ditës së sotme dhe nesër ka tendencë për rritje të nivelit të ujit.

Për shkak të reshjeve lokale në pellgun e lumit Koçanska, niveli i tij është rritur dhe në fshatin Obleshevë. Qendra për Menaxhimin e Krizave (QKK) bën të ditur se lumi ka dalë nga shtrati i tij dhe ka prekur toka bujqësore.

Banorët e fshatit Raotincë të komunës së Jegunovcës vazhdojnë të përballen me ngritjen e ujit për shkak të rritjes së nivelit të lumit Vardar.

Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave bëjnë të ditur se pas derdhjes së mbrëmshme të Vardarit në këtë pjesë të komunës, niveli i lumit në afërsi të fshatit Raoticë është i lartë dhe nuk ka ndryshuar.

Shtëpitë dhe arat në vendbanimet Raotincë, Kopanicë dhe Tudencë në komunën e Jegunovcës janë vërshuar që nga dje.

Niveli i Vardarit dhe në pjesën nga Demir Kapija deri në Gjevgjeli është në nivel të lartë, njofton Qendra Rajonale për Menaxhim të krizave nga Strumicë. Niveli i lumit Vardar në afërsi të Demir Kapisë mbrëmë ka qenë 260 centimetra, që është rreth 30 centimetra më shumë se matja e mëngjesit.

Mirëpo, nga QMK Strumicë thonë se për momentin nuk ka rrezik të derdhjes në pjesën e poshtme të përroit, nga fshatrat Udovë, Marvinci dhe Gjevgjeli, sepse për të ndodhur, siç thonë ata, niveli duhet të rritet në 350 centimetra.

QMK rajonale nga Prilepi thotë se ka dëmtime në shtratin e “Kanalit të Dabnikut” në rrugën “Kej 19 Shtatori” përballë objektit 3 dhe është bërë një vrimë që është zgjatur deri në skaj të rrugës. Pas konstatimit se kjo paraqet rrezik për kalimtarët dhe shembjen eventuale të asfaltit me kalimin e automjeteve më të rënda, nga QMK Prilep thonë se e kanë njoftuar NP “Ujësjellës dhe Kanalizim – Prilep” dhe është kërkuar që menjëherë të shënojnë vendin për të paralajmëruar kalimtarët dhe shoferët që të mos kalojnë buzë rrugës.