Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit Struga 2025, do të sjellë sonte artistë nga mbarë bota

Sonte (e mërkurë), me fillim nga ora 20:30, në hapësirat e Qendrës Solferino në Strugë, fillon edicioni i 10-të i Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit Struga 2025, nën kurimin e Berat Zulbeharit dhe Verim Zendelit. Ky aktivitet do të mbahet prej sot deri më 30 qershor ku do të bëjë bashkë artistë nga mbarë bota. Nga Zvicra do të vjen enkas fotografi i njohur Rromir Imami i cili do e ndanë me artistët pjesëmarrës përvojën e tij profesionale në fushën e fotografisë, shkruan Portalb.mk.

Burhan Ahmeti drejtues i simpoziumit për Portalb.mk tha se ky aktivitet është një ndër projektet më të rëndësishme për artin pamor në këtë regjion, dhe gjithnjë sjell një kontribut të fortë kulturor dhe turistik.

“Sivjet po e organizojmë simpoziumin e 10-të Ndërkombëtar të Artit, një manifestim i rëndësishëm kulturor dhe artistik tani më i njohur jo vetëm për Strugën me rrethinë por edhe më gjerë. Është një ndër projektet më të rëndësishme për artin pamor në këtë regjion, dhe gjithnjë sjell një kontribut të fortë kulturor dhe turistik. Ky edicion jubilar sivjet pritet të ketë jehonë më të madhe pasi presim 22 artistë nga 16 shtete të botës edhe ate artistë nga Brazili, Italia, Sllovenia, Gjermania, Hungaria, Rumania, Turqia, Palestina, Serbia, Shqipëria, Kosova, Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Malta, Greqia dhe nga Maqedonia e Veriut. Me një program të begatë artistik, punëtori artistike, vizita turistike, tryeza diskutimi ky aktivitet do përmbyllet me datë 29 qershor me një ekspozitë në natën finale të simpoziumit e cila do të mbahet në Qendrën për Kulturë në Strugë, me fillim nga ora 19:30”, tha Ahmeti.

Ai edhe më tej shtoi se, risi e këtij edicioni do të jenë aktivitetet e shumta që do ti zhvillojnë artistët.

“Përpos programit të begatë artistik, vizitave turistike, tryezës së diskutimit gjatë këtij aktiviteti do kemi një punëtori (workshop) të fotografisë artistike me temë “Si ti digjitalizojmë veprat e artit” udhëhequr nga fotografi i njohur Rromir Imami i cili do të vijë enkas nga Zvicra. Gjithashtu për artistët pjesëmarrës do ju bën nga një foto portret që ta kenë kujtim nga ky edicion i 10-të Ndërkombëtar i Artit”, tha Ahmeti.

Ahmeti edhe më tej shtoi se interesimi i artistëve të huaj dhe vendas çdo vit shkon duke u rritur, mirëpo mundësitë financiare ua e kufizojnë çdo dëshirë apo ide shtesë.

“Gjatë këtij edicioni presim rreth 20 artistë figurative të huaj si dhe disa vendas. Ku kemi bërë një laramani me artistët e ftuar duke bërë një baraspeshë në gjini moshë dhe me teknika të veçanta krijuese. Po marrin pjesë disa akuarelistë të njohur ndërkombëtarisht, skulptorë si piktorë të cilët punojnë me teknika tjera mikes me akrilik dhe ngjzra vaji. Interesimi i artistëve të huaj dhe vendas çdo vit shkon duke u rritur, mirëpo mundësitë financiare dhe ato të akomodimit na e kufizojnë çdo dëshirë apo ide shtesë”, tha Ahmeti.

Ai theksoi tha se nuk e kanë pasur mbështetjen e duhur institucionale.

“Sikur edhe me edicionet e kaluara si problem kyç e kemi pasur mbështetjen financiare, ose ato pak mbështetje institucionale që i kemi pasur kanë qenë më shumë fyese dhe qesharake. Sivjet edhe pse e kemi si vit jubilar, aplikuam në kohë dhe me gjithë dokumentacionin e duhur mirëpo nuk na e përkrahën, u detyruam që të bëjmë ankesë dhe sërish na e kthyen negativisht.

Megjithatë nuk u dorëzuam, vazhduam me punë dhe me vullnet me organizimin dhe falë disa dashamirëve të artit”, tha Ahmeti.

Ai mes tjerash shtoi se që nga edicioni i parë e deri më tani si qëllim kryesor e kanë pasur për ta mbuluar një boshllëk kulturor dhe artistik që i mungonte Strugës duke e pasur parasysh se i gjithë pushteti qendror fokusohej në Ohër duke e lënë nën hije Strugën.