Simpoziumi i 10-të Ndërkombëtar i Artit në Strugë plot dinamizëm dhe ndërlidhje kulturore
Në Strugë vazhdon të mbahet edicioni i 10-të i Simpoziumit Ndërkombëtar të Artit Struga 2025, nën kurimin e Berat Zulbeharit dhe Verim Zendelit. Ky aktivitet do të mbahet deri më 30 qershor duke bashkuar artistë nga mbarë bota. Në këtë edicion jubilar sivjet marrin pjesë 22 artistë nga 16 shtete të botës edhe atë artistë nga Brazili, Italia, Sllovenia, Gjermania, Hungaria, Rumania, Turqia, Palestina, Serbia, Shqipëria, Kosova, Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina, Malta, Greqia dhe nga Maqedonia e Veriut, shkruan Portalb.mk.
Për këtë edicion ka ardhur fotografi i njohur Rromir Imami i cili do ndajë me artistët pjesëmarrës përvojën e tij profesionale në fushën e fotografisë.
Burhan Ahmeti drejtues i simpoziumit për Portalb.mk tha se ky aktivitet po zhvillohet me një atmosferë të gjallë dhe bashkëpunuese.
“Simpoziumi i 10-të Ndërkombëtar i Artit në Strugë po zhvillohet me një atmosferë të gjallë dhe bashkëpunuese, duke hyrë në ditën e katërt të tij. Pas një programi të pasur me vizita kulturore dhe turistike, siç ishin udhëtimi në Shën Naum, muzeu nën ujë, takimi me Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës dhe vizita në komunën e Strugës, artistët pjesëmarrës janë rikthyer me energji në hapësirat krijuese. Ata po vazhdojnë me përkushtim të thellohen në krijimet e tyre artistike, duke reflektuar përvojat dhe frymëzimet e ditëve të kaluara nëpërmjet penelit, ngjyrës dhe formës. Atmosfera është dinamike dhe plot ndërlidhje kulturore, duke e shëndërruar këtë edicion në një festë të vërtetë të artit bashkëkohor. Sot e kemi dhe punëtorinë e fotografisë artistike udhëhequr nga fotografinë njohur Rromir Imami i cili erdhi enkas nga Zvicra që këtë edicion ta pasuroj edhe me shumë. Nesër pritet ti përfundojnë veprat e tyre dhe duhet ti pregadisim për ekspozitën përmbyllëse të simpoziumit që do mbahet te Qendra për Kulturë në Strugë me fillim nga ora 19:00”, tha Ahmeti.
Piktorja Enesa Memeti pjesëmarrëse në këtë simpozium për Portalb.mk tha se ky projekt është një mundësi për të parë më afër se si arti bashkëkohor po zhvillohet në sytë e artistëve të gjashtëmbëdhjetë vendeve të ndryshme të botës.
“Ky simpozium është iniciativë internacionale me qëllimin më të qëlluar për të eksploruar botëkuptimin dhe perspektivën e vizioneve të ndryshme artistike nga artistë nga e gjithë bota. Një mundësi për të parë më afër se si arti bashkëkohor po zhvillohet në sytë e artistëve të gjashtëmbëdhjetë vendeve të ndryshme të botës, mënyrën e trajtimit të teknikave, motiveve si dhe për të shpërnda eksperiencat tona dhe pse jo të absorbojmë më të mirën. Unë personalisht vazhdova me ciklin e mjellmave me teknikun e akrilit në pëlhurë për hir të kohës së shkurt. Përpos aktiviteteve artistike janë edhe ato të socializmit mes artistëve dhe kulturave të ndryshme të tyre. Është kënaqësi një bashkëpunim i tillë aq më tepër kur kemi artist të mirëfilltë që janë aktual në botën e artit modern, mund ta veçoj artisten gjermane me prejardhje romune Dora Van Grosskarol, një konceptualiste e arrirë dhe ligjëruese në gjashtë universitet prestigjioze të artit në botë. Artistë nga Brazili, Iltalia, Palestina, një gërshetim i larmishëm artistik dhe mund të them dhe inkurajues”, tha Memeti.