Siljanovska-Davkova: Bllokimi i integrimit evropian është rrezik serioz sigurie për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në
Bllokimi i integrimit evropian, përfshirë edhe të Maqedonisë së Veriut, po merr dimensionin dhe karakterin e një rreziku serioz sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për BE-në. Kështu ka vlerësuar sot presidentja e RMV-së Gordana Siljanovska-Davkova, transmeton Portalb.mk.
Në fjalimin e saj e me rastin e Ditës së Ushtrisë, ajo tha se rëndësia e vetëmjaftueshmërisë nuk ka qenë kurrë më e madhe.
“Në këtë kohë, duhet të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur, siç kemi filluar tashmë, të planifikojmë strategjikisht burimet dhe përdorimin e tyre. Institucionet kompetente duhet të mendojnë për projekte afatgjate që do të garantojnë vetëmjaftueshmëri dhe zhvillim të mbrojtjes jo vetëm në kushte paqësore, por edhe në një mjedis kërcënimi ushtarak dhe konflikti të mundshëm”, tha Siljanovska Davkova.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.