Si raporton media gjermane për krimet e të huajve?
“Ne skicojmë një lloj kurbe shoqërisë në ethe”, thotë profesori i gazetarisë Thomas Hestermann në lidhje me analizën e tij aktuale “Krimi dhe migrimi: Imazhi në median gjermane”. Që nga viti 2007, ai ka hetuar nëse dhe në çfarë konteksti raportohet origjina e të dyshuarve në krime të dhunshme.
Në vitin 2014, origjina nuk ishte aspak e rëndësishme
Ekipi i Hestermann-it në Universitetin Macromedia të Hamburgut përgatiti raportin për vitin 2025 për shërbimin mediatik Integration me seli në Berlin. Rezultati, i publikuar të premten, është shqetësues: “Të dyshuarit e huaj përmenden afërsisht tre herë më shpesh sesa përqindja e tyre në statistikat e policisë”. Studiuesi i medias thekson se kjo shifër nuk ka qenë kurrë më e lartë që nga viti 2014, kur origjina mezi përmendej në raporte.
Një vit më vonë, rreth një milion njerëz mbërritën në Gjermani. Më shumë se një e treta po iknin nga lufta civile në Siri, dhe një e pesta erdhi nga Shqipëria dhe Kosova. Që atëherë, Hestermann ka vërejtur një “shtrembërim drastik” në median gjermane në lidhje me krimin dhe migrimin.
“Si ndryshon perceptimi i dhunës?”
Mbulimi mediatik ka pasoja, pasi shumica e njerëzve mësojnë për krimet e dhunshme përmes medias dhe krijojnë mendimet e tyre: “Në ç’masë rrezikohem unë? Kush përfaqëson rrezik?” Pyetjet që Hestermanni bën në këtë kontekst nga një perspektivë shkencore janë të ngjashme: “Si ndryshon perceptimi i dhunës?” “Si ndryshon këndvështrimi i të dyshuarve dhe origjina e tyre?”
Ish-gazetari përshkruan reagimet e ndryshme që ka vëzhguar, duke përdorur dy sulme që ndodhën në vitin 2025 në Mynih dhe Mannheim si shembuj: “Mynih: një i ri afgan dyshohet se futet me makinë në një turmë dhe vret dy persona. Pak më vonë, në Mannheim: një gjerman gjithashtu futet me makinë në një turmë dhe vret dy viktima rastësisht. Demonstratë në Mynih, përmbajtje në Mannheim.”
Të dyshuarit e huaj u raportuan dy herë më shpesh
Po media? Transmetuesi publik ARD transmetoi një program special “Brennpunkt” gjatë kohës së shikueshmërisë më të madhe rreth sulmit në Mynih, por asnjë program rreth sulmit në Mannheim. Në përgjithësi, programet televizive dhe gazetat gjermane raportuan dy herë më shumë për krimin që përfshinte të dyshuarin e huaj.
Pse ndodh kjo? Hestermann i njeh reflekset gazetareske nga vitet e tij të përvojës si reporter dhe prezantues për stacione radiotelevizive publike dhe private. Vendimet shpesh merren intuitivisht, nga instinkti, thotë ai. Kjo shpesh është e paqëllimshme, siç e di ai nga bisedat gjatë vizitave të tij në redaksi. Por: “Shumë vendime intuitive bëhen një model i mbulimit të lajmeve që ndjek agjendën populiste të krahut të djathtë.”
“Raportimi është përgjithësisht diskriminues”
Ish-gazetari thekson se nuk dëshiron të shfaqet si shkencëtar që i di të gjitha. Shpesh thuhet se gazetarët e krahut të majtë dhe mjedisorë e shohin gjithçka me syze rozë dhe raportojnë vetëm pozitivisht për migrimin. Por kjo nuk është aspak e vërtetë: “Sepse raportimi është përgjithësisht diskriminues.”
Si provë, ai citon rezultatet e analizave javore të medias të kryera midis janarit dhe prillit 2025. Gjatë kësaj periudhe, u analizuan 168 raportime televizive mbi krimet e dhunshme në Gjermani me 146 të dyshuar dhe 330 artikuj gazetash me 263 të dyshuar. Hestermann nuk gjeti dallime të rëndësishme, pavarësisht orientimeve shumë të ndryshme editoriale.
Një media konservatore raporton ngjashëm me një të majtë
Kjo vlen si për kanalet televizive publike ashtu edhe për ato private, si dhe për tekstet e shtypura dhe online: “Ne vumë re se dy gazeta aq të ndryshme sa Die Welt dhe taz përmendin vetëm të dyshuarit e huajgjatë periudhës së studimit, nuk përmendet fare origjina e tyre”, përmbledh Hestermann. Studiuesi i medias pranon se kjo e habit. Për kontekst: Die Welt ka një profil të theksuar konservator të krahut të djathtë, ndërsa gazeta taz, lexohet kryesisht nga e majta ekologjike.
Kriminologia dhe sociologia Gina Wollinger e përshkruan shtrembërimin mediatik si “migrimizim” të krimit. Kjo shoqërohet me një mbitheksim të tepruar të kulturës. “Një kategori që, sipas mendimit tim, përdoret vetëm kur bëhet fjalë për kriminelë jo-gjermanë. Papritmas lind pyetja: A ka të bëjë kjo me kulturën?” kritikon profesoresha në Kolegjin e Policisë dhe Administratës Publike të landit të Rinit Verior-Vestfalisë.
“Nuk varet nga pasaporta apo shtetësia”
Wollingeri thekson se, në thelb, krimi nuk ka të bëjë fare me origjinën: “Nuk është historia e migrimit, nuk është pasaporta apo kombësia. Janë faktorë të caktuar rreziku që rrjedhin kryesisht nga varfëria, mungesa e perspektivave dhe vetë përvoja e dhunës.” Dhe kur merren parasysh këto, nuk shihen dallime midis njerëzve me orgjinë migrimi dhe atyre pa të.
Dhe si mund të ndryshohet çekuilibri në mbulimin e lajmeve? Studiuesi i medias Thomas Hestermann e di nga përvoja e tij si gazetar se raportimi mbi migrimin shpesh mund të dështojë nga barrierat gjuhësore. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që redaksitë të jenë më të larmishme. Të rinjtë që janë rritur në kultura të ndryshme mund t’i pasurojnë redaksitë.”