Si funksionojnë tarifat e reja të presidentit Trump?
Tarifat doganore ose tarifat i referohen një lloj takse mbi mallrat e importuara. Kjo tarifë paguhet nga kompania, organizata, shoqëria tregtare ose transportuesi i mallrave kur importojnë mallra në vend, në këtë rast në Shtetet e Bashkuara. Dhe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, Maqedonia në vitin 2024 ka një deficit tregtar me SHBA-në prej 78 milionë dollarësh nëse llogariten mallrat dhe shërbimet, por nëse përjashtohen shërbimet dhe llogaritet vetëm tregtia me mallra, atëherë SHBA-ja në vitin 2024 ka një deficit prej rreth 113 milionë dollarë, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruar nga: Matej Trojaçanec
Javën e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi një paketë të re tarifash, apo detyrimesh doganore, për pothuajse të gjitha vendet e botës në të ashtuquajturën… “Dita e Çlirimit”. Kjo de fakto i dha fund dekadave të politikës tregtare të SHBA-së, kështu që pavarësisht nga lidhjet diplomatike dhe partneriteti dhe bilancet tregtare me vendet, në rastin më të mirë, tarifat parashikojnë 10 për qind për vendet me të cilat SHBA ka një suficit tregtar dhe deri në 50 për qind për produktet nga vendet nga të cilat SHBA importon më shumë sesa eksporton.
Për vendet e Ballkanit, produktet nga Serbia (37%), Bosnja dhe Hercegovina (35%) dhe Maqedonia e Veriut (33%) morën tarifat më të larta, ndërsa Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria kishin të njëjtën normë – 10 për qind.

Çfarë përfaqësojnë tarifat e reja (reciproke)?
Kur flasim për taksa doganore, apo tarifa, nënkuptojmë një lloj takse për mallrat e importuara. Për shembull, kur një kamion plot me fruta, veshje apo makina mbërrin në kufirin e SHBA-së, pjesë e dokumentacionit për kalimin e kufirit është pagesa e një takse doganore të paracaktuar, e njohur edhe si detyrim importi. Kjo tarifë doganore paguhet nga kompania, organizata, shoqëria tregtare ose transportuesi i mallrave kur importojnë mallra në vend, në këtë rast në Shtetet e Bashkuara.
Në fakt, kjo lloj praktike njihet edhe si proteksionizëm tregtar. Qëllimi i proteksionizmit është të përdorë politikat e qeverisë për të kufizuar tregtinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndihmojë industritë vendase. E thënë thjesht, shteti mbron industritë dhe prodhimin vendas, kështu që kompanitë dhe transportuesit do të duhet të paguajnë tarifa më të larta doganore për mallrat e huaja që importojnë, një kosto që pothuajse gjithmonë “kalohet” ose paguhet nga konsumatori.
Sipas revistës amerikane Axios, në themelimin e Shteteve të Bashkuara, kjo lloj tarife ishte burimi më i madh i të ardhurave të shtetit federal. Një praktikë që është zvogëluar gradualisht me kalimin e kohës dhe është zëvendësuar nga marrëveshje tregtare dhe zona ekonomike ku tarifa të tilla pothuajse nuk ekzistojnë. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, këto tarifa të reja ishin vetëm 1.7 për qind deri në vitin 2017, pas së cilës Trump i ngriti ato në 3 për qind. Dhe norma e tarifave mbeti e njëjtë gjatë administratës së Joe Biden.
Së fundi, këto tarifa të reja quhen reciproke. Sipas Trump, kjo do të thotë: “Ata na bëjnë neve, dhe ne ua bëjmë atyre. Shumë e thjeshtë, nuk mund të bëhet më e thjeshtë se kjo,” thotë ai, duke shtuar se “kjo do të jetë vërtet epoka e artë e Amerikës”.
Tarifat ndaj Maqedonisë së Veriut
Siç u përmend, sipas listave të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, mallrat maqedonase do të përballen me tarifa të larta prej 33 për qind kur eksportohen në SHBA. Siç shpjegoi në Twitter zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Kush Desai, formula është e thjeshtë: deficiti total tregtar me një vend të caktuar pjesëtuar me totalin e importeve nga vendi, i ndarë në gjysmë. Pse gjysmë? Sepse, siç tha Trump, pavarësisht se partnerët tregtarë vendosin në mënyrë të padrejtë tarifa të larta ndaj Shteteve të Bashkuara, populli amerikan është “shumë zemërmirë” dhe tarifat reciproke do të përgjysmohen.
No we literally calculated tariff and non tariff barriers.https://t.co/GiWRU6gJDv https://t.co/TmzN1wcC2b pic.twitter.com/sjV9apMJ4F
— Kush Desai (@KushDesai47) April 3, 2025
Në formulën e mësipërme mund të gjeni simbolet “ε” që nënkupton elasticitetin e çmimit të kërkesës për import që është 4, si dhe “φ” elasticitetin e çmimeve të importit në raport me tarifat që është 0.25. Me fjalë të tjera, katër shumëzuar me një të katërtën është e barabartë me 1.
Nëse zbatojmë formulën për tregtinë ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut, të paktën sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare amerikane census.gov, mund të shihen shifrat e mëposhtme:

Por sipas Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë, shumat për tregtinë totale midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara duken të ndryshme. Tregtia totale e vendit me Shtetet e Bashkuara në vitin 2024 arrin në 384 milionë dollarë amerikanë. Nga këto, eksportet në mallra dhe shërbime janë me vlerë 118 milionë dollarë, ndërsa importet janë rreth 192 milionë dollarë.

Pamje nga të dhënat zyrtare të ESHS-së
Nëse në llogaritje i përdorim të dhënat e ESHS-së, del se SHBA-ja ka suficit tregtar, gjegjësisht se Maqedonia e Veriut ka një deficit tregtar me Amerikën rreth 78 milionë dollarë. Kjo do të thotë se mallrat maqedonase duhej të taksohen vetëm 10 për qind, jo 33 për qind, siç është tani.
Ky ndryshim është për faktin se të dhënat e SHBA-së numërojnë vetëm tregtinë e mallrave të shkëmbyera ndërmjet vendeve, ndërsa llogaritjet e ESHS-së përfshijnë mallrat dhe shërbimet ndërmjet SHBA-së dhe. Maqedonisë së Veriut.
Këtë mospërputhje mes të dhënave amerikane dhe maqedonase e ka komentuar edhe kryeministri Hristijan Mickovski. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai u shpreh se me shumë gjasa ka qenë “gabim apo rezultat i informacionit të pasaktë” dhe pret që tarifa të korrigjohet shumë shpejt.
Duke marrë parasysh që tregtia jonë me SHBA-në për vitin 2024 është negative, pra ne jemi [Maqedonia e Veriut] në deficit, dhe ato vende që kanë deficit praktikisht nuk kanë rritje të taksave. Jemi në kontakt me ambasadën, Ministrinë e Ekonomisë dhe zyrën e Presidentit Trump.
Pra, pres që në këtë periudhë të dalim nga kjo situatë, tha kryeministri Mickovski në konferencën e sotme për media.